Vdes 70 vjeçari, banorët në protesta

26.02.2015 16:20

Pas paralajmërimit të shprehjes së revoltës nga banorët, siç thonë ata, për mossigurimin e automjetit të Ndihmës së Shpejtë, sot, pas varrimit të 70 vjeçarit, Isen Mehmedi, qindra banorë të Komunës së Rostushës protestuan para Shtëpisë së Shëndetit në Rostushë...

Pardje, të afërmit e Hisen Mehmedit kërkuan për ndihmë automjetin e Ndihmës së Shpejtë, por, sipas tyre, autoritetet shëndetësor, për arsye të mungesës së benzinës, kanë refuzuar t’u sigurojnë automjetin transportues, kështu që të sëmurin e transportuan me taksi deri në Dibër, Gostivar e Shkup. Gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua dhe i njëjti dje ka ndërruar jetë.

Të tubuarve në protestë drejtori i kësaj qendre u tha se ka pasur një keqkuptim dhe të afërmit e të sëmurit kanë shpejtuar.

Protesta u paralajmërua përmes rrjeteve sociale, ndërkaq banorët e tubuar, në mënyrë spontane kërkuan që të ndërrohet drejtori i Shtëpisë së Shëndetit, për të cilin që në protestë filluan të mblidhnin nënshkrime për peticion, që drejtori aktual, Sabri Nezirovski, të mos e drejtojë këtë shtëpi të shëndetit. Ata në fund thanë që peticioni do t’i dorëzohet Ministrisë së Shëndetësisë për ta ndërruar drejtorin Nezirovski. (Atli Dema, TVM2)