Botë

Mitrovicë e Veriut, sulmohet me granatë dore ndërtesa komunale

27.06.2023 11:08

Situata në Veri të Kosovës mbetet e tensionuar...

Situata në Veri të Kosovës mbetet e tensionuar. Në orët e vona të së hënës, ndërtesa e komunës në Mitrovicë të Veriut është sulmuar me mjete shpërthyese, njofton Policia e Kosovës.
 
Lënda shpërthyese dyshohet të jetë granatë dore. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar dy vetura të policisë, ndërsa nuk ka të lënduar.  Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke hetuar rastin, ka deklaruar për mediat vendore zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani.
 
Policia i ka thënë radios “Evropa e Lirë” se në konsultim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti “kryerja e veprës terroriste”.
 
Ditë më parë është raportuar edhe për sulme me shok-bomba afër stacioneve policore në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan, komuna në veri të Kosovës.