Botë
Mitrovica e Veriut, sulm me granatë dore ndaj objektit komunal, MPB-ja e Kosovës dhe Atiq: Sulmi ndaj komunës, akt terrorist
27.06.2023 13:20
Në orët e vona të së hënës, ndërtesa e komunës në Mitrovicë të Veriut është sulmuar me mjete shpërthyese...

Në orët e vona të së hënës, ndërtesa e komunës në Mitrovicë të Veriut është sulmuar me mjete shpërthyese, bën të ditur policia e Kosovës. Lënda shpërthyese dyshohet të jetë granatë dore, e cila ka shkaktuar dëme materiale në veturat zyrtare. MPB-ja ka thënë se nga ky sulm janë dëmtuar dy vetura zyrtare.
“Sulmet e vazhdueshme terroriste ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës duhet të përballen me reagim të ashpër nga të gjithë. Këto janë tentativa të njëpasnjëshme nga ana e Serbisë për të eskaluar situatën në veri të vendit. Ne mbesim vigjilent dhe të angazhuar për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim.”, kanë thënë nga MPB-ja e Kosovës.
Ka reaguar edhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq duke e cilësuar këtë sulm si terrorist, duke shtuar se institucionet do të “funksionojnë pavarësisht sulmeve e kërcënimeve të tilla”.
“Sulmi i mbrëmshëm me granatë dore M75 në objektin e komunës sonë është padyshim sulm i organizuar terrorist. Këto akte kriminale e terroriste që tentojnë të ngjallin frikë nuk do t’ia dalin. Institucionet do të funksionojnë pavarësisht sulmeve e kërcënimeve të tilla.”, ka shkruar Atiq në një postim në Facebook.
Blinken dhe 8 senatorë: Kosova e Serbia të angazhohen për de-përshkallëzim
Ky sulm vjen në ditën kur sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken ka zhvilluar biseda telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Përmes një postimi në Twitter, ai ka theksuar se me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq ka biseduar rreth de-përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës dhe rikthimin në dialog. Me këtë rast, Blinken ka përsëritur se plani trepikësh i BE-së është rruga përpara.
Ndërsa, kryeministri Kurti citohet t’i ketë thënë sekretarit Blinken se takimi trepalësh në Bruksel nuk ka ndodhur, për shkak të mosgatishmërisë së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për t’u takuar. Ndërsa, një grup prej 8 senatorësh amerikanë përmes një letre të dërguar presidentit të ShBA-ve, Joe Biden, kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me përkeqësimin e situatës në veri të Kosovës pas organizimit të zgjedhjeve në katër komunat e veriut.
“Pa një angazhim të vendosur për të ndërmarrë këto hapa, ne ju nxisim të shtyni të gjitha shtytjet në pritje të shtytjeve ushtarake të huaja dhe çdo thellim të marrëdhënieve dypalëshe të sigurisë me secilin vend.”, thuhet në letrën e senatorëve.
Ata, po ashtu i kanë kërkuar presidentit Biden që ta ndalë bashkëpunimin me Kosovën e Serbinë në çështjen e sigurisë, nëse palët s’veprojnë për çtensionim të situatës.
GYLTENE SINANI
