Maqedoni

Tetovë, interesim i madh për blerjen e kurbaneve

27.06.2023 13:38

Festa e Kurban Bajramit ka gjallëruar Tetovën....

Festa e Kurban Bajramit ka gjallëruar Tetovën. Shitësit e kurbaneve shprehen të kënaqur me interesimin e blerësve. Ata thonë se nga viti i kaluar çmimet janë më të larta, por edhe interesimi është rritur. 
 
“Me shitjen jemi shumë të kënaqur, edhe përkundër se shumë qytetarë janë në mërgim, por përsëri shitja është shumë e mirë. Çmimet janë më të larta se vjet, por popullata po mundohet të blej kurban.”, - tha një shitës. 
 
“Shitje ka, nuk është pa shitje.”, - tha një shitës tjetër.
 
Problem vitet e fundit kanë qenë mbetjet e kurbaneve, ku shpesh ata janë hedhur vend e pa vend. Ndërsa, këtë vit Myftenia e Tetovës,të koordinuar me komunat, kanë caktuar vende ku do të groposen mbetjet e kurbaneve, thotë myftiu i Tetovës, Qani Nesimi. Nesimi më tej shton se Kurbani është ibadet, dhe nuk duhet t’u pengojë të tjerëve, pasi rrezikojmë të ngelemi edhe pa kurban.
 
“Jemi koordinuar dje me të gjitha komunat dhe janë fiksuar të gjitha adresat e shpallura në listë, ku njerëzit porositen që mbetjet e kurbaneve të mos i hedhin vend e pa vend, por t’i dërgojnë në vendin e caktuar nga komuna. Groposja e tyre, përveç se ka një obligim, që të mos u pengojë të tjerëve, të mos krijojmë ndotje të ajrit, mos të pengojmë në rrugë, fetarisht nga kurbani, nëse ne u pengojmë të tjerëve, ne rrezikojmë  të mbetemi edhe pa kurban. Është shumë me rëndësi se kurbani është një ibadet dhe nëse ne këtë ibadet nuk e rrumbullaksojmë deri në pjesën më të fundit, rrezikojmë të mbesim edhe pa kurban.”, - deklaroi myftiu i Myftenisë së Tetovës, Qani Nesimi. 
 
Ndërsa, falja e namazit  të Kurban Bajramit dhe manifestimi qendror i organizuar nga BFI-ja do të mbahet nesër në xhaminë “Mustafa Pasha” në Shkup, por, sipas burimeve tona, për herë të parë nuk ka ftesë për Myfteninë e Tetovës, e cila pritet të organizojë falje në njërën nga xhamitë në Tetovë.
 
VISAR SADIKI