Maqedoni

Ndryshimet kushtetuese, Xhaferi: Kuvendi gati për të nisur procedurën

27.06.2023 13:59

Kuvendi është i përgatitur që në çdo moment të nisë debatin për ndryshimet kushtetuese...

Kuvendi është i përgatitur që në çdo moment të nisë debatin për ndryshimet kushtetuese, është shprehur kryeparlamentari, Talat Xhaferi. Për momentin nuk ka paralajmërime se amendamentet kushtetuese mund të hyjnë në procedurë parlamentare, megjithatë kryeparlamentari deklaron se deputetët mund të mblidhen edhe gjatë pushimeve për të votuar.
 
“Pa marrë parasysh se për cilën periudhë kohore bëhet fjalë, jemi të gatshëm për punë dhe nuk ka kurrfarë pengese që parlamenti të punojë në çdo moment. Procedura fillestare nga nisma deri në seancë minimum duhet të kalojë 30 ditshi, nga konvokimi deri në mbajtje të seancës për faktin që në ato 30 ditë Komisioni kushtetues duhet të shqyrtojë propozimin, iniciativën për ndryshimet kushtetuese, debat i cili nuk mund të zgjasë më tepër se 10 ditë dhe duhet të mbarojë tetë ditë para ditës së paraparë të seancës së Kuvendit.”, - deklaroi kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
 
Më 18 korrik Kuvendi ka caktuar seancën e  radhës, por për ndryshimet kushtetuese do të duhet të caktohet seancë tjetër.
 
Merko në listën e zezë, Xhaferi i përmbajtur për vendimin e ShBA-ve
 
Xhaferi i përmbajtur sa i takon përfshirjes së kryetarit të komunës së Strugës, Ramiz Merko, në listën e zezë amerikane, si dhe nevojës për dorëheqje.
 
“Qëndrimet e përfaqësive diplomatike nuk janë lëndë e vlerësimit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.”, - theksoi kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
 
Xhaferi, në takimin me gazetarë, ka komentuar edhe ligjet për barazi gjinore dhe evidencën amë, për të cilat shprehet i përmbajtur, por do të jepte mbështetje nëse është në të mirën e rrugëtimit evropian të vendit.
 
MERAL ISMAILI