Maqedoni

Besimtarët mysliman festojnë “Kurban Bajramin”, kreu i BFI-së uron Bajramin

27.06.2023 14:18

Besimtarët mysliman në mbarë botën, nesër kremtojnë ditën e “Kurban Bajramit”....

Besimtarët mysliman në mbarë botën, nesër kremtojnë ditën e “Kurban Bajramit”. Kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetai, për nder të kësaj feste islame ka dërguar urimin e tij deri te të gjithë besimtarët.
 
“Në këto ditë feste të “Kurban Bajramit”, besimtarët në praktikë dëshmojnë besimin e tyre, duke ndarë nga pasuria tyre për të bërë kurban si një përkushtim ndaj Krijuesit, si një simbolikë e gatishmërisë së Ibrahimit a.s. për të flijuar birin e tij Ismailin, për të çuar në vend premtimin e dhënë Allahut Fuqiplotë, veprim ky i cili përfundoi me ndihmën e Zotit duke dërguar një kafshë për ta prerë, në vend të Ismailit a.s. Ky akt ia bëri me dije njerëzimit se ndihma e Zotit vjen atëherë kur njeriu mobilizon të gjitha potencialet e tij fiziko-shpirtërore për të flijuar më të dashurën dhe më të shtrenjtën e jetës për Krijuesin. T’i përkushtohesh Zotit me gjithçka që ke, do të thotë të kesh vetëdije të lartë mbi ndryshimin e botës drejt ngritjes së njeriut, vlerës më të madhe që krijoi Zoti. Njeriu është krijesa më e shtrenjtë, ndërsa angazhimi në shërbim të njerëzve, e sidomos të atyre në nevojë është vlera më e madhe e njeriut dhe jetës së tij.
 
Vëllezër e motra! Në këtë ditë të madhe të Festës së Kurban Bajramit, më lejoni që nga thellësia e zemrës dhe e shpirtit, në emër të Bashkësisë Fetare Islame të vendit tonë, në emër të organeve dhe institucioneve të saja dhe në emrin tim personal, të gjithë besimtarëve në vend dhe jashtë vendit ku do që jetojnë dhe veprojnë, u shpreh urimet tona duke e lutur Allahun Fuqiplotë t’i pranojë lutjet tona, kurbanet tona, haxhin nga haxhilerët që janë duke e kryer, si dhe të gjitha ibadetet tona të bëra gjatë këtyre ditëve të bekuara. Le të jetë kjo festë, festë e gëzimit të zemrave tona, festë e respektit ndaj njëri tjetrit, festë e afrimit me të tjerët, festë e gëzimit dhe kënaqësisë të njerëzve në nevojë.”.