Bakiu: Nuk ka kërcënime direkte të sigurisë në vend
SHBA-të janë të shqetësuara për rritjen e ndikimit rus në Ballkan. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, bëri thirrje që Shtetet e Bashkuara të shtojnë përpjekjet për t'iu kundërvënë disa veprimeve të Rusisë në Ballkan, e cila, tha ai, synon të bëjë për vete vende të ndryshme...

Madje, Kerry tha se Rusia po përpiqet të rindezë një lojë të rrezikshme dhe në vijën e parë të zjarrit, sipas Kerrit, janë Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Por, analistët nuk mendojnë se siguria në Maqedoni është drejtpërdrejt e kërcënuar, megjithëse pranojnë që perplasja eventuale mes Amerikës dhe Rusisë do të krijonte destabilizim jo vetëm për Maqedoninë, por për të gjithë Ballkanin.
“Duhet të jetë shumë pragmatike në qëndrimet dhe njëkohësisht të përpiqet të ruaj miqësinë dhe bashkëpunimin e krijuar me SHBA-të, sepse çdo lëvizje eventuale nga kjo vijë diplomatike, ose nga kjo vijë e marrëdhënieve ndërkombëtare do të ishte mjaft e vështirë për RM-në, sepse nuk ka kapacitet të përballojë diçka të tillë. Çdo përforcim i një ideje më të vogël, siç do të ishte përkrahja e asaj rryme pro-ruse, mendoj se do të destabilizonte RM-së”- deklaroi politologu, Qashif Bakiu.
Maqedonia më së miri mund të mbrohet nëse vazhdon përcaktimin e vet të bashkëpunimit me SHBA-të, vlerson Bakiu.
“Jo se SHBA-të do të ishin të interesuara të destabilizonin RM-së, por përkrahësit ose qëndrimet e popullsisë janë të qarta pro-amerikane, sepse në bashkëpunimin e ndërtuar me SHBA-në nga shumë pika historike të cilat i takojnë një të kaluare mjaft të afërt dhe pikërisht ky bashkëpunim është ndërtuar në bazë të çështjeve konkrete. Çdo tentativë tjetër për mendimin tim vetëm mund të hapë çështje të tjera të cilat i takojnë pastaj disa elementeve të një natyre të dytë të brendshme politike, e jo të asaj të mardhënieve ndërkombëtare”- tha Bakiu.
Megjithë emocionin sllav që paraqitet herë pas here, Maqedonia nuk do të kishte asnjë përfitim nga orientimi pro-rusë, prandaj vendi duhet t’i kthehet politikës pro-perendimore, sepse këtu mund të zhvillojë interesin strategjik, vlerëson politologu, Qashif Bakiu. (Sanije Kasami, TVM2)
