Maqedoni
"Soravia", Spasovski: Ka vend për hetim të rrjedhave financiare
27.06.2023 15:09
Të dhënat e paraqitura, sipas të cilave Drin Ahmeti, ka fituar 39 për qind të pronësisë në qendrën tregtare “Soravia”....

Të dhënat e paraqitura, sipas të cilave Drin Ahmeti, ka fituar 39 për qind të pronësisë në qendrën tregtare “Soravia”, lënë hapësirë për të kontrolluar rrjedhat financiare. Kështu tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, nëse MPB-ja do të kontrollojë se si Drin Ahmeti ka marrë 39 për qind të qendrës tregtare “Soravia”.
“Këto janë të dhëna dhe informacione që japin mundësinë për të hapur një procedurë verifikimi, në radhë të parë rrjedhat financiare. Prokuroria Publike do të mund të hapë një hetim dhe në bazë të tij të ngarkojë institucionet kompetente për zbatimin e ligjit dhe t'i kontrollojë të gjitha këto fakte dhe argumente.”, - deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
VMRO-DPMNE: PTH të hapë hetim për Drin Ahmetin
Ndërkohë, vazhdojnë akuzat nga VMRO-DPMNE se Drin Ahmeti, është partneri më i dëshirueshëm i biznesit dhe se Qeveria i jep koncesione.
“PThP-ja dhe organet e rendit duhet të hapin një hetim menjëherë. Si futet nipi 25-vjeçar i Ahmetit në biznese miliona dollarëshe pa investuar asnjë qindarkë? Nëse për këtë e ndihmoi funksioni i xhaxhait të tij?!”, - theksoi Kovaçki nga VMRO-DPMNE.
Alternativa: Besian Ahmeti në mënyrë të paligjshme në Bruksel
Nga Alternativa akuzojnë se nipi i Ali Ahmetit, Besian Ahmeti është zgjedhur sekretar i parë në ambasadën në Bruksel në mënyrë të paligjshme.
“Pas Drin Ahmetit, që doli se kishte "shkathtësi të veçantë afariste", nipi tjetër, Besian Ahmeti, doli se paska "shkathtësi të veçantë diplomatike" dhe kjo paska qenë arsyeja që ta emërojnë në diplomaci, pavarësisht se stazhi i tij është më pak se një vjet, ndërsa përvoja diplomatike është ZERO.”, thuhet në reagimin e Alternativës.
Sa i përket akuzave për zgjedhjen e sekretarit të parë në ambasadën në Bruksel, Ministria e Punëve të Jashtme i quajti “gënjeshtra të publikuara nga VMRO-DPMNE që kanë synim tendencioz për të dëmtuar diplomacinë, por tregojnë edhe mosnjohje elementare të kompetencave ligjore, si dhe të dekreteve të përcaktuara në rregulloren për punën e diplomaci”.
FLORIJE KAMBERI
