Botë

Bruksel, Borrell vlerëson kontributin e Ramës

27.06.2023 16:35

Në një konferencë të përbashkët mbajtur në Bruksel, shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell....

Në një konferencë të përbashkët mbajtur në Bruksel, shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, falënderoi kryeministrin, Edi Rama, për angazhimin e tij për të gjetur një paqe mes Kosovës dhe Serbisë. Borrell pati përgëzime edhe për rrugëtimin e Shqipërisë në përmbushjen e kushteve për t’u bërë pjesë unionit evropian.
 
“Jam i lumtur të shikoj që Shqipëria ka bërë progres në ecurinë e saj drejt BE-së dhe janë të vendosur të vijojnë më tej për negociatat. Jam shumë i lumtur të shoh se Shqipëria ka qenë në harmoni të plotë me vlerat tona. Shqipëria do të ketë mbështetjen e BE-së në këtë aspekt. Ne kemi diskutuar për dialogun për paqen në Prishtinë dhe të faleminderit ty kryeministër për angazhimin për të gjetur një zgjidhje. Palët duhet të gjejnë një mënyrë për të evituar përshkallëzimin e situatës dhe të miratojnë udhërrëfyesin që u është vendosur në tavolinë.”, - deklaroi shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.
 
Kryeministri Rama u tregua mirënjohës për inkurajimin që mori prej përfaqësuesve të BE-së këto dy ditë në Bruksel dhe shpresoi në një zgjidhje sa më të shpejtë për rajonin, e veçanërisht për dialogun Prishtinë-Beograd.
 
“Jemi pjesë e rajonit që ka vuajtur shumë në të shkuarën, që nuk mundet të ketë një shikim mbrapa dhe ku ngjarjet nuk janë gjithmonë të ndara nga njëra-tjetra. Ne nuk mund të shikojmë vetëm shtëpinë tonë, pa shqetësime se çfarë po ndodh rreth e rrotull dhe situata nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën e Serbinë, por gjithë rajonin. Shqipëria është e angazhuar të punojë me ju dhe gjithë miqtë tanë, kemi shumë gjëra për të bërë. Kemi procesin e Berlinit, kemi bërë progres dhe nuk mund të lëmë këtë situatë në vend të dytë.”, - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. 
 
Një ditë më parë, kryeministri Rama fillimisht u takua me presidentin e Këshillit Evropian, ku ndanë së bashku të njëjtin mendim, që lirimin e 3 policëve të Kosovës, ishte i vonuar, por një lajm i mirë. Rama pati takim edhe me komisionarin për Zgjerimin Evropian, Olivér Várhelyi.
 
LULJETA NDOKA