LSDM-ja ngre padi penale ndaj Gruevskit
LSDM-ja dorëzoi sot në Prokurorinë Publike padi penale ndaj kryeministrit, Nikolla Gruevski, nën dyshimin se ka publikuar “sekret zyrtar”...

Sekretari i përgjithshëm i LSDM–së, Oliver Spasovski, tha se kjo padi ka si shkas publikimin e video-incizimeve mes liderit të LSDM-së dhe kryeministrit, të bëra në kabinetin e këtij të fundit, megjithëse dje vetë kryeministri Gruevski pranoi se Zaev ka qenë nën masa të veçanta hetimore.
“LDSM-ja sot dorëzoi padi penale ndaj Nikolla Gruevskit, nën dyshimin se ka kryer vepër penale “publikim të sekretit zyrtar”, duke u bazuar në fjalimin e tij të djeshëm në konferencë. Ai dje nxori disa argumente se Zoran Zaev ka qenë i ndjekur nën masa të veçanta hetimore dhe po ato materiale u publikuan në media, prandaj edhe ngritëm këtë padi. Padi kemi ngritur edhe ndaj personave të panjohur nga MPB-ja, gjykata dhe prokuroria, që kanë pasur kontakt direkt me materialet që u publikuan, që në fakt edhe ata llogariten fajtorë për publikim të një sekreti zyrtar”- deklaroi sekretari gjeneral i LSDM-së, Oliver Spasovski.
Edhe pse LSDM-ja nuk beson që rasti do të marrë ndonjëherë vendimin e drejtë të sistemit të drejtësisë, Spasovski thotë LSDM-ja me këtë akt tregon se respekton institucionin e prokurorisë. Sipas tij, në Maqedoni sistemi ligjor është i shkatërruar dhe kjo është dëshmuar tashmë me bisedat e publikuara, që treguan se institucionet nuk duhen besuar, pasi ato kontrollohen në mënyrë direkte nga partia në pushtet. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)
