Maqedoni
Festa e Bajramit, urojnë krerët e partive politike
28.06.2023 14:02
Festa e Kurban Bajramit nuk ka kaluar pa mesazhe urimi edhe nga krerët e partive politike...

Festa e Kurban Bajramit nuk ka kaluar pa mesazhe urimi edhe nga krerët e partive politike. Kryetari i Bashkimit Demokratik për integrim Ali Ahmeti, për qytetarët që festojnë përcjell shëndet, harmoni dhe paqe familjare.
“Kuptimin i jetës qëndron në dorën e zgjatur të ndihmës, në dorën e zgjatur të pajtimit, në praktikimin e veprave që ndriçojnë horizontet e së mirës së përgjithshme.”, shkruan në profilin e tij në fejsbuk, kreu i BDI–së, Ali Ahmeti.
Në festën e madhe të sakrificës uron edhe kryetari i ASH-së, Arben Taravari.
“Të zgjasim dorën e solidaritetit me vepra të mira, duke përkujtuar përpjekjen për të shpërndarë mëshirë, falje, mirëkuptim dhe mirësi.”, uron në rrjetet sociale, kreu i Aleancës për Shqiptarët, Taravari.
Edhe Bilall Kasami nga opozita shqiptare i bashkangjitet urimeve të Bajramit, me dëshirën për të ushqyer të mira njerëzore.
“Le të jemi të gjithë të bashkuar dhe në lartësinë e frymës së festës së Kurban Bajramit, duke kultivuar pandërprerë vlerat më të mira njerëzore.”, shrkuan Bilall Kasami.
Për një bajram të mbushur me dashuri dhe përzemërsi ka uruar edhe kryetari i Alternativës Afrim Gashi.
“Duke u kujdesur që në këtë ditë të mbretërojë buzëqeshja në secilën sofër të Bajrami, uroj të keni bajram të mbushur me dashuri dhe përzemërsi.”, shkruan Gashi.
Kreu i opozitës maqedonase Hristijan Mickovki, pos urimeve që mbërthen festa kërkon angazhim gjithpërfshirës për një shtet të përbashkët.
“Duhet të punojmë dhe të krijojmë shtet në të cilin kohezioni dhe toleranca do të jenë parësore dhe që do të sigurojë të ardhme të njëjtë për të gjithë qytetarët.”, ka shkruar Mickovski.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
