Maqedoni

Rastet e Merkos, PP përfundoi kontrollin, KGj: Raporti, gati brenda dy ditëve

28.06.2023 14:37

Komisioni prej katër antarëve i formuar nga Prokuroria Republikane, ka përfunduar kontrollin në Prokurorinë themelore të Strugës...

Komisioni prej katër antarëve i formuar nga Prokuroria Republikane, ka përfunduar kontrollin në Prokurorinë themelore të Strugës, Prokurorinë e lartë në Manastir dhe Prokurorinë për krim të organizuar dhe korrupsion.Veprimi i Prokurorisë Republikane erdhi pas konstatimeve të Departamentit Amerikan të shtetit, sipas të cilëve Kryetari i Stugës, Ramiz Merko ka përfshirje të konsiderueshme në korrupsion, përvetësim dhe ndërhyrje në procese gjyqësore dhe të tjera publike. Aktualisht, Merko ka gjashtë raste të hapura në prokurori, shumica prej të cilave janë për keqpërdorim të pozitës dhe kompetencave zyrtare. 
 
Siç njoftuan nga Prokuroria Republikane disa nga lëndët, për shkak se janë të gjera dhe komplekse, janë ende duke u studiuar dhe analizuar. Pas kësaj, komisioni pritet të përgatisë një raport dhe të japë udhëzime se si do të veprohet.
 
“Komisioni i Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut përgjegjës për kryerjen e mbikëqyrjes së jashtëzakonshme të lëndëve të parashtruara kundër Ramiz Merkos, kryetar i Komunës së Strugës, ka inspektuar të gjitha lëndët e përfunduara dhe ato në procedurë kundër këtij personi në Prokurorinë Themelore Publike në Strugë, Prokurorin e Lartë Publike në Manastir dhe në Prokurorinë themelore publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në të njëjtën kohë, për shkak të shtrirjes së veprimeve të ndërmarra dhe kompleksitetit, disa nga rastet janë ende duke u studiuar dhe analizuar në detaje. Pas përfundimit të kontrolleve, Komisioni do të përgatisë një raport me udhëzime për trajtimin e rasteve specifike.”
 
Veprim të ngjajshëm me Prokurorinë republikane ndërmori edhe Këshilli Gjyqësor. Komisoni prej 3 antarëve të Këshillit gjyqësorë i udhëhequr nga koordinatori Milazim Mustafa, gjatë ditës së djeshme kanë realizuar kontroll në Gjykatën Themelore të Strugës, për të shyrtuar nëse Merko ka ndërhyrë në procedura gjyqësore. Nga Këshilli Gjyqësor paralajmëruan raport brenda dy ditëve. Përfshirja e Merkos në vepra korruptive dhe ndikime në procese gjyqësore shkaktoi një furtunë reagimesh dhe kritikash në opinion, të cilat më së shumti u drejtuan institucioneve vendase për shkak të mosveprimit. 
 
FLORIJE BELULI KAMBERI