Atentatet ndaj Tahirit, policia arreston tre persona

26.02.2015 17:40

Policia duket se po shkon drejt zbardhjes së atentateve ndaj ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit...

Tre persona janë arrestuar gjatë një operacioni të zhvilluar gjatë natës, pasi dyshohet se kanë vendosur tritolin në farmacinë e babait të ministrit, si dhe në vendin ku ai parkonte zakonisht makinën. Sipas policisë, ata janë kushërinj të Emirjon Gjutës, 26 vjeçarit, i cili ndodhet në burg, pasi u zbulua se telefoni që do të aktivizonte tritolin pranë vendit ku parkonte makinën babai i Tahirit i përket atij.

Bëhet fjalë për Muhedin Gjutën dhe nipin e tij, Pajtim Gjutën, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Gjatë një aktiviteti inaugurimi, kryeministri Rama e komentoi operacionin e policisë duke u shprehur se iku koha kur atentatorët iknin në drejtim të paditur.

Atentati ndaj familjarëve të Tahirit ndodhi duke u gdhirë data 10 shkurt. Farmacia e babait të ministrit të Brendshëm u shkatërrua tërësisht, po ashtu edhe vendparkimi i makinës së tij, por për fat të mirë nuk pati të lënduar. (Luljeta Ndoka, TVM2)