Pyetje deputetësh në Kuvendin Republikan

26.02.2015 17:46

Krahas zhvillimeve aktuale politike në vend, deputetët në kuvend janë përplasur edhe për shumë çështje tjera...

Nga foltorja e parlamentit, Bekim Fazliu pyeti ministrin e Ekologjisë, Nurhan Izairin, lidhur me ndotjen në qytetin e Tetovës dhe mbylljen e Fabrikës “Jugohrom”, siç e quajti ai “vrasësin e shqiptarëve të Pollogut”.

“Nurhan Izairi lejon dhe me këtë që lejon bëhet bashkautor në krim, sepse së bashku me “Jugohromin” po helmon 500 mijë banorët e Pollogut. Po i vrisni qytetarët e Pollogut në mënyrën më ç’njerëzore dhe më barbare. Prandaj pyetja konkrete është: pse nuk e mbyllni atë dreq “Jugohromi” që po i vret  shqiptarët”- deklaroi deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu.

Fazliu ka folur edhe për problemet me të cilat ballafaqohet Maqedonia, duke u përqendruar në bllokimin e proceseve integruese, ndërsa resoret përkatëse i premtuan  se përgjigjet do t’i marrë me shkrim.

Ndërkohë, për integrimin e vendit dhe seancat e përbashkëta qeveritare me Shqipërinë dhe Kosovën është interesuar edhe deputeti i BDI-së, Aran Grubi.

“Dje, duke iu përgjigjur pyetjeve të senatorëve në Uashington, sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerry, theksoi se në përplasjet midis SHBA-ve dhe Rusisë ndikimi i kësaj përplasje do të mund t’i digjte disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndërsa me 30 shtator të vitit 2014, ministri i Jashtëm rus, Lavrov, doli me deklaratë, duke e cilësuar procesin integrues të Maqedonisë në strukturat euroatlantike, në veçanti në NATO, si provokim ndaj Rusisë”- tha deputeti i BDI-së, Artan Grubi.

Në përgjigjen e tij, ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski, tha se sfidat për të gjitha vendet e rajonit nuk janë të ngjashme.

“Kuptohet se sfidat me shtyrje të një zhvillimi normal në procesin integrues sjellin edhe dukuri negative. Vizioni për anëtarësim në strukturat euroatlantike është një faktor i fuqishëm koheziv jo vetëm tek ne, por te më shumë shoqëri të vendeve përreth”- u shpreh ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski.

Respektimi i të drejtës ndërkombëtare dhe mbajtja e kredibilitetit në procesin e integrimit do të ishte ilaçi më i mirë për të eliminuar dukuritë e tilla, që është interes edhe i vendit, shtoi Popovski.

Për sa i përket seancave të përbashkëta me Shqipërinë dhe Kosovën, ministri Popovski tha se po zhvillohen përgatitjet për mbajtjen e tyre dhe se të njëjtat do të mund të zbatohen shumë shpejt. (Naim Ramadani, TVM2)