Botë

Samiti i BE-së në Bruksel: Ukraina dhe çështjet e sigurisë, temat kryesore

29.06.2023 11:21

Fillon sot në Bruksel takimi dyditor i krerëve të shteteve apo qeverive të BE-së, i cili zyrtarisht përfundon presidencën suedeze...

Fillon sot në Bruksel takimi dyditor i krerëve të shteteve apo qeverive të BE-së, i cili zyrtarisht përfundon presidencën suedeze të Unionit dhe presidencën e bllokut për gjashtë muajt e ardhshëm e merr Spanja. Temat kryesore të këtij samiti dyditor të BE-së do të jenë agresioni rus kundër Ukrainës dhe mbështetja e vazhdueshme e Bashkimit për Ukrainën, si dhe çështjet që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen, migracionin, ekonominë dhe marrëdhëniet me jashtë. Çështja e zgjerimit të BE-së nuk është zyrtarisht ndër temat për diskutim në takim.
 
Sipas njoftimeve, liderët e vendeve anëtare pritet të japin udhëzime shtesë për sigurinë dhe kapacitetin mbrojtës të BE-së, veçanërisht në aspektin e prokurimit, investimeve dhe prodhimit, si dhe do të diskutojnë edhe për Samitin e ardhshëm të NATO-s, i cili do të mbahet më 11 dhe 12 korrik në kryeqytetin lituanez Vilnius dhe mbi bashkëpunimin e Unionit me Aleancën.
 
Në samitin dyditor, liderët e BE-së do të trajtojnë situatën ekonomike në BE, si dhe çështjet që lidhen me forcimin e sigurisë ekonomike, politikën industriale të Bashkimit dhe kushtet e tregut të vetëm evropian dhe konkurrencën dhe produktivitetin afatgjatë të Evropës.
 
Në fushën e politikës së jashtme të BE-së, liderët evropianë pritet të zhvillojnë një diskutim strategjik për Kinën dhe gjithashtu do të diskutojnë samitin e ardhshëm të BE-së me Komunitetin e Shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve (CELAC), i cili do të mbahet në mes të muajit të ardhshëm në Bruksel.