Botë
Shpërthejnë sërish trazirat në Francë
29.06.2023 11:40
Trazirat shpërthyen në natën e dytë në Paris pas vrasjes së një adoleshenti 17-vjeçar nga policia...

Trazirat shpërthyen në natën e dytë në Paris pas vrasjes së një adoleshenti 17-vjeçar nga policia. Protestuesit qëlluan me fishekzjarre policinë dhe i vunë flakën makinave në periferi të Parisit. Një video e postuar në mediat sociale tregon një grup të rinjsh që u vënë flakën dokumenteve dhe karrigeve brenda bashkisë së Mons-en-Barœul në periferi të Lille.
Përdorimi i forcës vdekjeprurëse nga oficerët kundër adoleshentit, i cili ishte me origjinë nga Afrika e Veriut, ka nxitur zemërim ndaj forcës brutale të policisë në periferitë ku jetojnë njerëz të etnive të ndryshme. Rreth 2.000 policë u vendosën në Paris dhe periferitë e tij përreth. 150 protestues u arrestuan pas trazirave në shumë qytete të Francës.
Ministri i Brendshëm francez i cilësoi trazirat si dhunë ndaj simboleve të republikës. Ndërkaq, presidenti francez Emmanuel Macron e quajti më herët vrasjen e Nahelit “të pafalshme”. Kreu i Elizesë ka thirrur një takim disa nga ministrat e tij pas trazirave. Mediat shkruajnë se ekziston rreziku që kjo situatë mund të shndërrohet shpejt në trazira edhe më të mëdha, të nxitura nga zhgënjimet mbi pabarazinë dhe sjelljen e policisë. Policia pretendoi se i riu tentoi t’i përplaste efektivët me makinën e tij, por një video e bërë publike tregon të kundërtën. Pavarësisht ndihmës së stafit mjekësor, adoleshenti ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra. Efektivi i policisë ndodhet në paraburgim dhe mbi të rëndon akuza e vrasjes.
