Botë
Tensionet në veri të Kosovës, sulmohet një pikë kontrolli e policisë
29.06.2023 12:13
Një kiosk, që përdorej si pikë kontrolli nga Policia e Kosovës në Mitrovicë të Veriut është sulmuar sot me mjete plasëse....

Një kiosk, që përdorej si pikë kontrolli nga Policia e Kosovës në Mitrovicë të Veriut është sulmuar sot me mjete plasëse. Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se në momentin e sulmit nuk ka pasur policë në atë pikë.
Sipas tij, si pasojë e këtij sulmi, është dëmtuar kiosku që përdorej nga policia. Kohëve të fundit janë shpeshtuar sulmet me mjete shpërthyese në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Më 26 qershor, objekti komunal i Mitrovicës së Veriut u sulmua me granatë dore, duke shkaktuar dëme materiale. Autoritetet, për këtë rast kanë iniciuar rast për “kryerje të veprës terroriste”. Po ashtu ka pasur sulme me shok-bomba në afërsi të stacioneve policore në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut. Këto ngjarje vijnë në kohën kur tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga 26 maji. Atë ditë, kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe kanë hyrë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.
