Stanishev dhe Hovit takojnë krerët e LSDM-së

26.02.2015 17:51

Në Maqedoni, ndërkohë, po qëndron ish-raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Riçard Hovit, dhe kryetari i socialistëve evropianë, Sergej Stanishev...

Ata mbrëmë janë takuar me udhëheqësinë e LSDM-së, ndërkohë që sot vazhdojnë takimet edhe me partitë e tjera. Eurodeputeti, Riçard Hovit, u bëri thirrje të gjitha autoriteteve të sigurimit dhe gjyqësore në vend që t'i respektojnë standardet e vendosura.

"I lus të gjithë autoritetet e sigurimit dhe gjyqësore në vend që t'i respektojnë të drejtat fundamentale, parimin e barazisë para ligjit dhe supozimit të pafajësisë. Ka histori pikëlluese në këtë vend, në këtë rajon dhe në pjesë të tjera të Evropës, të sistemeve të përgjim dhe akuzimet ilegale të cilat morën hov kundër individëve për qëllime politike. Këto praktika nuk duhet të kenë vend as këtu e as në Evropë"- ka thënë mes tjerash Hovit. "Nuk ka negociata për kriteret e larta politike, si liria e gjyqësisë, liria e mediave, liria e fjalës dhe gjithsesi liria e opozitës që ta kritikojë pushtetin. Jemi të shqetësuar nga akuzat e orientuara drejt liderit të opozitës, Zoran Zaev"- ka deklaruar kryetari i PSE-së, Sergej Stanishev, pas takimit me udhëheqësin e LSDM-së.