Muri në “Bit Pazar”, Trajanovski: nuk është vendim përfundimtar
Ndërtimi i murit në bulevardin “Kërste Misirkov” afër “Bit Pazarit” nuk është vendim përfundimtar...

Pas protestave tre ditë më parë të qytetarëve kundër një nisme të këtillë, Qyteti i Shkupit hapë mundësinë e bisedimeve me ata. Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, nuk dha ndonjë zgjidhje konkrete, por premtoi se do të dëgjohen sugjerimet e tregtarëve si dhe policisë, të cilët ankohen vazhdimisht se qytetarët rrezikojnë jetën duke kaluar rrugën.
“Tani nuk kam ndonjë zgjidhje që t’u them se si do të ishte zgjidhja, por për çdo rast do të bisedohet edhe me njerëzit të cilët u ankuan që të dëgjohen mendimet e tyre. Do të bisedohet edhe me MPB-në, për ne nga aspekti financiar do të ishte më mirë të mos ndërmerrej asgjë dhe njerëzit të kalojnë atje rrugën, por duke u nisur nga fakti se mund të ndodhin fatkeqësi eventuale, morëm këtë iniciativë”- deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
Sipas këshilltarit të PDSH-së, Idriz Oranës, ndërtimi i një muri do të ishte fyes për banorët e kësaj ane. Ai kërkoi zgjidhje alternative.
“A nuk është kjo feudalizëm, a nuk është degjenerim dhe nënçmim i qytetarëve të cilët jetojnë atje, duke i përshkruar se ata nuk janë të civilizuar, ose nuk u përmbahen rregullave të parashikuara të komunikacionit- tha këshilltari i PDSH-së, Idriz Orana.
Për stopim të kësaj iniciative të Qytetit të Shkupit janë shprehur edhe nga Komuna e Çairit. Prej atje kanë bërë të ditur se do të shqyrtojnë mundësinë e hapjes së një vendkalimi të ri për këmbësorë. Këtë e kishin kërkuar edhe qytetarët që protestuan, pasi, sipas tyre, vetëm një urë nuk është e mjaftueshme për nevojat e tregut. (Meral Ismaili, TVM2)
