Botë

Qeveria e Kosovës, dy organizata serbe i shpallën terroriste

29.06.2023 15:54

Qeveria e Kosovës shpalli organizata terroriste, dy organizatat serbe në veri “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”...

Qeveria e Kosovës shpalli organizata terroriste, dy organizatat serbe në veri “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”. Kryeministri Albin Kurti deklaroi se ky vendim merret duke u bazuar në vlerësimet e institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës. Sipas tij, bazuar në këto vlerësime, organizatat e lartpërmendura paraqesin kërcenim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës.
 
“Sulmet ndaj qytetarëve e ushtarëve të KFOR-it, shkaktimi i rrezikshëm ndaj pronës publike e private, detyrimi në marrjen pjesë në protesta të dhunshme, janë veprimet e ndërmarra nga këto grupe. Niveli i rrezikut prej tyre është i lartë dhe institucionet janë në përpjekje të vazhdueshme për kundërvënie ndaj aktiviteteve dhe parandalimit të pasojave.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Vendimin e sqaroi edhe ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla. 
 
“Duke u thirrur në analizat e organeve të sigurisë, jemi informuar se terrorizmi është prezent në veri të vendit dhe grupet e caktuara kanë kryer sulme terroriste. Veprimtaria e tyre është e paligjshme dhe veprimtaria e tyre do të ndalohet në tërësi. Veprimi për shpalljen e këtyre organizatave si terroriste, vjen si rezultat i ruajtjes së rendit kushtetues. Prandaj, politikat shtetërore bazohen në luftimin e organizatave terroriste.”, - theksoi Xhelal Sveçla nga MPB-ja. 
 
Organizata “Brigada e Veriut” ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës përmes një postimi në Telegram. 
 
“Brigada e Veriut” është formuar një vit më parë dhe se pjesëtarët e saj janë “vullnetarë që ndihmojnë serbët dhe popullin serb, të gatshëm të mbrojmë popullin dhe shtetin tonë. Kjo organizatë tha se vendimi i Qeverisë së Kosovës nuk do t'i ndalojë ata të luftojnë “për Serbinë dhe unitetin”, por për arsye të sigurisë më nuk do të njoftojnë publikisht për lëvizjet e tyre.”, thuhet në reagimin e organizatës “Brigada e Veriut”.
 
Sipas ligjit në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë. Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të barte pasoja të rënda ligjore.
 
GYLTENE SINANI