Maqedoni
Presidenti Pendarovski: Duhet një strategji për të rinjtë
29.06.2023 17:59
Sfida më e madhe me të cilën përballet vendi është emigracioni i të rinjve, u shpreh presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski...

Sfida më e madhe me të cilën përballet vendi është emigracioni i të rinjve, u shpreh presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski në 10 vjetorin e Këshillit Rinor Nacional të Maqedonisë. Ai tha se fatkeqësisht veç te ne është arritur parashikimi demografik të Kombeve të Bashkuara për vitin 2030, sepse të rinjtë janë një pakicë që çdo vit bëhet gjithnjë e më e vogël. Për ta luftuar këtë, ai thotë se duhet strategji për të rinjtë.
“Të rinjtë janë një pakicë që çdo vit po bëhet gjithnjë e më e vogël. Nëse nuk i rezistojmë kësaj prirjeje dhe nëse nuk ngadalësohet nga politika specifike në kuadër të një strategjie gjithëpërfshirëse rinore, na pret një e ardhme shumë më e keqe nga ajo që mund të parashikojmë aktualisht. Pyetja kryesore është se çfarë duhet të bëjmë për të mbajtur të rinjtë në vend.”, - deklaroi presidenti, Stevo Pendarovski.
Sipas Pendarovskit, hulumtimet flasin se të rinjtë që janë pjesë e organizatave rinore janë më të kënaqur me vendin e tyre në shoqëri sesa bashkëmoshatarët e tyre që nuk janë të përfshirë në proceset shoqërore. Por, është fakt edhe e kundërta se të rinjtë para se të largohen, ndjehen të huaj në vendin e tyre.
“Fatkeqësisht, e kundërta është gjithashtu e vërtetë. Në shumicën e rasteve, të rinjtë që u larguan së pari ndjeheshin të huaj në vendin e tyre. Ecuria e tyre në karrierë ishte viktimë e nepotizmit, korrupsionit, padrejtësisë, partishmërisë dhe të këqijave të tjera sistematike, sociale. Brezat e politikanëve që nga pavarësia e deri më sot nuk arrijnë ta përfshijnë rininë në politikbërje, me fjalë të tjera, vendimet merren kryesisht për rininë, pa rininë.”.
Pendarvoski thotë se suksesi i vendit, më shumë se çdo gjë tjetër, varet nëse brezit të ri do t'i kthejmë kuptimin e jetës dhe do t'i ndihmojmë ata të gjejnë veten këtu, në atdheun e tyre.
SANIJE DURAKU
