“Përgjimi”, Thaçi: Komision hetimor që do ta drejtojë PDSh-në

26.02.2015 18:15

Pa marrë parasysh burimin se kush e realizoi përgjimin dhe nga rrodhën bisedat telefonike, autenticiteti i bisedave dhe përmbajtja e bisedave për dakordim të vendimeve gjyqësore, keqpërdorime financiare dhe kontroll mbi mediat nuk janë kontestuar...

Pas gjithë kësaj që ka dëgjuar opinioni e që nuk është hedhur poshtë nga ministrja e Brendshme dhe shefi i DSK-së, deputetja Gërçeva pyeti kryeministrin se si ka mundësi që ende kemi të njëjtin drejtor të DSK-së dhe të njëjtin ministër për Punë të Brendshme, ndërkaq gjykohen njerëz që punojnë te ata brenda?!

“Ajo që më shumë më shqetëson është se askush deri tani nuk e kontestoi autenticitetin e xhirimeve. Do thoni prisni, ajo do të ndodhë në procedurë gjyqësore. Në cilat gjykata, në ato që Llatasi mund të dakordojë gjykim me Filomenën?! Ajo që edhe më shumë më shqetëson është se jemi dëshmitarë të shkatërrimit të tërësishëm të sistemit të sigurisë. Te ne, sistemi i sigurisë është libër i hapur, ku jo vetëm që çdo kush mund të lexojë dhe të incizojë çfarë të dojë, por edhe të shtojë sipas nevojës. Ne ende nuk i dimë të gjitha xhirimet. Çfarë nëse dikush edhe shton aty brenda?! Në çdo shtet normal, krerët e institucioneve të tilla brenda pesë minutash japin dorëheqje”- deklaroi deputetja, Sollza Gërçeva.

Nuk duhet nxituar, thotë Gruevski. Sipas tij, përgjegjësia do të kërkohet pasi të konfirmohen faktet.

“Në drejtim të përgjegjësisë së personave të caktuar, dje e thashë por do ta përsëris edhe sot, se mendimi im është se nuk duhet nxituar me çfarë do qoftë vendime në këtë plan. Se duhet pritur në procedurë transparente të konfirmohen faktet. Të mos gjykohet askush paraprakisht. Të shihet çfarë ka ndodhur saktësisht, ç’thonë analizat dhe në fund të merren vendime”- tha kryeministri, Nikolla Gruevski.

“Me të vërtetë pajtohem se nuk duhet nxituar në këtë punë. Por, nuk u deshtë të nxitoni dhe të drejtoni gishtin nga shërbimet e huaja. Nuk u deshtë të vihen në jutub incizime nga masa të posaçme hetuese. Nuk u deshtë t’i shohim incizimet në kabinetet tona. Me këto çështje u nxituat”- tha deputetja, Sollza Gërçeva.

Komision Hetimor, në kuadër të kuvendit, që do të merret me çështjet e përgjimit që nga viti 1993, qëndrimin e tij e përsëriti kreu i PDSh-së, Menduh Thaçi. Sipas tij, sistemi gjyqësor ka humbur besueshmërinë, ndërsa situata e përgjithshme është serioze. 

“I kam informacionet e limituara për aspektet e sigurisë dhe të qetësisë, ndoshta pak më shumë se ju, se jam opozitë. Por, mendoj se situata është serioze, për shkak se Maqedonia nuk është shtet i vjetër, i fuqishëm me konstelacione të forta në raporte ndërkombëtare dhe të sigurisë së brendshme dhe imuniteti i Maqedonisë është seriozisht i dëmtuar në bllokimin e procesit eurointegrues dhe duhet të jemi të kujdesshëm të gjithë. Edhe vëmendja e bashkësisë ndërkombëtare nuk është aq e madhe”- u shpreh kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.

Bindja e përgjithshme e aktorëve politik është se përgjimi ndër të tjera nxori në sipërfaqe se sistemi mbrojtës i Maqedonisë është dëmtuar seriozisht, rrjedhimisht edhe gjendja e sigurisë është e luhatshme. Prandaj kërkohet veprim politik me përgjegjësi. (Shpëtim Nuredini, TVM2)