Botë

Ushtria ukrainase pretendon përparime në fushëbetejë

30.06.2023 12:57

Ushtria ukrainase ka pretenduar se ka arritur disa “suksese” në luftimet në rajonin lindor të Donjeckut...

Ushtria ukrainase ka pretenduar se ka arritur disa “suksese” në luftimet në rajonin lindor të Donjeckut, përderisa ka shqetësime lidhur me mundësinë e betejave që kërcënojnë të shkaktojnë një katastrofë në centralin bërthamor të Zaporizhjës në jug të shtetit.
 
Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha se “përpjekjet kryesore” të Rusisë po përqendrohen përreth Limanit, Bakhmutit dhe Marijinkës, ku “luftimet e ashpra po vazhdojnë”. Ushtria ukrainase tha se forcat e saj “kanë pasur sukses dhe po bëhen më të forta në dëbimin e rusëve nga pozicionet që më herët ata kishin marrë nën kontroll”. Në raportin e Shtabit u tha po ashtu se rusët po vazhdojnë të rezistojnë.
 
Anatoly Kurtev, sekretar në këshillin e qytetit të Zaporizhjës, ku ndodhet centrali më i madh bërthamor në Evropë, tha se ushtria ka thënë se asnjë civilë nuk është plagosur dhe nuk janë shkaktuar dëme të mëdha në sulmet e kryera gjatë natës nga Rusia. Kievi së fundi e ka akuzuar Rusinë se po planifikon një sulm “terrorist” në central, të cilin Moska e ka marrë nën kontroll që në ditët e para të nisjes së pushtimit. Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vasily Nevenziya, tha se ai i ka shkruar Këshillit të Sigurimit dhe sekretarit të përgjithshëm, Antonio Guterres, për t’i siguruar se “nuk kanë synim që të sulmojmë centralin bërthamor”.