Botë

E gjithë Franca nën flakë, demostruesit djegin transportet publike

30.06.2023 14:52

Prej më shumë se 3 ditësh në Francë kanë shpërthyer protesta të dhunshme, pasi një efektiv policie qëlloi për vdekje një 17-vjeçar...

Prej më shumë se 3 ditësh në Francë kanë shpërthyer protesta të dhunshme, pasi një efektiv policie qëlloi për vdekje një 17-vjeçar. Mbi 1.500 persona në gjithë Francën janë arrestuar, pasi demostruesit u vunë flakën ndërtesave publike, autobusëve, trenave dhe dyqanet u vandalizuan dhe plaçkitën. Pasagjerët janë larguar nën panik nga transportet publike në Villerban të Lionit.
 
"Shoferi hapi derën në pjesën e pasme të tramvajit, të gjithë dolëm me vrap, fatmirësisht të gjithë jemi mirë dhe të sigurt, por ikim në shtëpi të frikësuar.”, - tha një pasagjer.
 
“Tmerr, imagjinoni çfarë mund të ndodhte, nëse shoferi nuk do e kishte hapur derën.”, - tha një pasagjer tjetër.
 
Mijëra francezë morën pjesë në një marshim proteste në Nanterre, të thirrur nga nëna e Nahelit 17-vjeçarë, për të nderuar djalin e saj. Këto pamje tregojnë skenat në Marsejë, pasi protestuesit e rebeluar i vunë zjarrin bibliotekës komunale “Alcazar”, autoriteteve të Francës. 13 oficerë policie u plagosën në Marsejë. Situata e njëjtë është edhe në Paris. Presidenti francez Emmanuel Macron do të mbajë një takim urgjent me kabinetin e tij qeveritar për të qetësuar situatën. Në Sendeni, konkretisht në vendin e quajtur Panten, janë djegur autobusët. Pasagjerët janë shumë të zhgënjyer dhe të shqetësuar për eskalimin e situatës.
 
“Kjo nuk është normale, qytetarët e paguajnë gjithë këtë. Tani nuk do të kemi autobusë për një kohë të gjatë, ka mënyra të tjera që problemet të zgjidhen në vend që t’u vihet flaka autobusëve. Pasagjerët nuk kanë faj për vrasjen që ka bërë polici.”, - u shpreh një pasagjere në autobus.
 
Nahel, 17 vjeç, u qëllua të martën në makinën e tij, pasi nuk ndaloi kur u urdhërua. Një video që qarkullon në rrjetet sociale, tregon një oficer policie që i drejton armën shoferit të një makine, përpara se të dëgjohet një e shtënë. Makina më pas përplaset. Adoleshenti vdiq si pasojë e plagëve të plumbave në gjoks, pavarësisht ndihmës së urgjencës. Oficeri policor që dyshohet se qëlloi, u arrestua nën akuzën për vrasje.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU