Maqedoni

Iseni: Emërtimi i emrave të rrugëve, veprim antishqiptarë

30.06.2023 15:21

Iniciativa e kryetarit të komunës së Butelit për ndërrimin e emrave të rrugëve me emrat e vjetër ka shkaktuar reagime...

Iniciativa e kryetarit të komunës së Butelit për ndërrimin e emrave të rrugëve me emrat e vjetër ka shkaktuar reagime në mesin e qytetarëve shqiptarë të kësaj komune. Disa prej tyre kanë shprehur ankesa kundër këtij ndryshimi. Ata besojnë se kërkesa e kryetarit për përkthimin e emrave të vjetër në komunën e Butelit ka motive të fshehura dhe është një taktikë për të zhdukur kujtesën historike dhe identitetin shqiptar. Sipas tyre, fakti që 90% e emrave që ai propozon të ndryshohen janë emra të personaliteteve të historisë shqiptare, tregon se ky veprim është pjesë e një agjende antishqiptare. Këtë iniciativë nuk e ka votuar Këshilli i komunës, thotë këshilltari, Samir Iseni. Ai, po ashtu ka akuzuar për moslejimin e regjistrimit të popullatës shqiptare në këtë komunë.
 
“Ne kemi jetuar 70 vite në Butel, me emra të personaliteteve maqedonase, serbe, madje edhe vietnameze dhe nuk kemi shfaqur kur animozitet ndaj askujt, ndërsa Darko Kostovski asnjë vit nuk mund t’i durojë emrat e personaliteteve shqiptarë. Këtu në Butel, dua t’i rikujtoj kryetarit se jetojnë 37% shqiptarë, ndërsa jozyrtarisht, sepse ai nuk lejon që njerëzit t’i regjistrojë në adresat e reja, mund të jenë edhe 50%, prandaj nëse ai mendon  se kështu e mbron Butelin nga shqiptarët, e mashtron veten dhe i mashtron ndjekësit e tij.”, - deklaroi këshilltari i Butelit nga Alternativa, Samir Iseni. 
 
Kostovski: Duhet të kthehen emrat e vjetër, jo ndërtimi i tyre
 
Kryetari i komunës së Butelit, Darko Kotovski, i hedhë poshtë këto pretendime se bëhet fjalë vetëm për emërtim të rrugëve shqiptare. Ai e quan një iniciativë që duhet të rikthejë gjendjen e vjetër, të rikthejë vendimin e dhunshëm të marrë nga kryetari i atëhershëm i qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
 
“Kemi dërguar propozim në Këshillin e Qytetit të Shkupit për kthimin e emrave të vjetër, por vendimi është i tyre. Qytetarët dërguan një iniciativë, ajo iniciativë nuk është në kompetencën tonë dhe ne e përcjellim në institucionin përkatës, për momentin institucioni përkatës është qyteti i Shkupit.”, - theksoi kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski. 
 
Këshilltarët shqiptar thonë se deri më sot nuk ka pasur asnjë shkrim apo peticion të qytetarëve për ndërrimin e këtyre adresave, teksa do të propozojnë tërheqjen e iniciativës.
 
SEDAT SELIMI