Maqedoni
Mbështetja nga Gjermania, përplasen LSDM dhe VMRO
30.06.2023 15:45
LSDM dhe VMRO-DPMNE-ja opozitare sërish u përplasen rreth asaj nëse vendi ka ose jo garanci dhe mbështetje maksimale....

LSDM dhe VMRO-DPMNE-ja opozitare sërish u përplasen rreth asaj nëse vendi ka ose jo garanci dhe mbështetje maksimale për t’u integruar në familjen e madhe evropiane pa kushte të reja bullgare. Nga LSDM thonë se Gjermania dhe Scholz qëndrojnë pas nesh dhe pas asaj që janë dakorduar 27 vendet anëtare të BE-së. Me mbështetjen e partnerëve strategjikë, RMV-ja ka një shans historik, për të bërë një hap përpara në rrugën evropiane, ndërsa VMRO-DPMNE dhe gjitha subjektet tjera politike kanë mundësi të mbështesin këtë shans për të miratuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese, me çka do t’u sigurojnë qytetarëve një të ardhme evropiane, thonë nga LSDM-ja.
“Kancelari gjerman, Olaf Scholz, gjatë vizitës së kryetarit të LSDM-së dhe njëherit kryeministër Dimitar Kovaçevski në Berlin dha garanci të qarta se nuk do të ketë kushte dhe pengesa të reja në rrugën tonë evropiane. Përveç kësaj, ai tregoi respekt të madh për identitetin, gjuhën, historinë maqedonase dhe përpjekjeve të shumta që bënë Maqedonia e Veriut për të bërë reforma në rrugën drejt BE-së.”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
Ndërkohë, VMRO-DPMNE është e prerë se RMV-ja nuk ka marrë asnjë garanci se do të mund të vazhdojë procesin eurointegrues pa kushte të reja. Akuzojnë Kovaçevskin dhe LSDM-në se po “mjegullojnë” opinionin dhe se keqinterpretojnë dhe manipulojnë me deklaratën e kancelarit gjerman Scholz.
“Kovaçevski dhe Osmani të tregojnë se cili është ai shtet “Nordmazedonien”, që po gënjen se identiteti është i garantuar dhe se nuk do të ketë kushte të reja. Kovaçevski po gënjen opinionin. Scholz nuk tha se nuk do të ketë kushte të reja nga Bullgaria, por shprehu mendimin e tij të lirë se nuk duhet të ketë. Këto nuk janë garanci, siç pretendon LSDM-ja.”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Një ditë më herët, kancelari gjerman, Olaf Scholz, pas takimit të përbashkët me kryeministrin Dimitar Kovaçevski që patën në Berlin tha se Gjermani seriozisht e kupton perspektivën evropiane të vendit dhe tha se tani radhën e kanë ndryshimet Kushtetuese që të lirohet procesi aderues në BE.
REXHEP QAMILI
