Botë

Masat e propozuara të KE-së kundër Kosovës, Kurti: Jemi partneri më i sinqertë i BE-së në rajon

30.06.2023 16:06

Kosova vazhdon të jetë “partneri më i ndershëm dhe më i qëndrueshëm në rajon”...

Kosova vazhdon të jetë “partneri më i ndershëm dhe më i qëndrueshëm në rajon”, pavarësisht masave të propozuara kundër Kosovës nga Komisioni Evropian, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës. Ai gjithashtu tha se Kosova në disa raste ka qenë kritike ndaj BE-së, por “asnjëherë cinike e as e hidhur”, duke shtuar se autoritetet nuk janë të hidhëruar edhe pas vendosjes së masave ndëshkuese.
 
“Komisioni Evropian dje i paraqiti Parlamentit Evropian listën e masave kundër Kosovës. Bashkimi Evropian gjen në Kosovë partnerin dhe aleatin e tij më të sinqertë dhe më të qëndrueshëm në rajonin e vlerave, parimeve demokratike dhe interesave afatgjata evropiane. Kosova ka një Qeveri të tillë. Njerëzit janë të tillë. Fillimisht populli dhe më pas Qeveria. Nganjëherë kemi qenë kritikë ndaj Bashkimit Evropian, por asnjëherë cinikë apo të hidhur. Nuk jemi as sot. Kur në dhjetor të vitit të kaluar kur e dorëzuam kërkesën tonë për anëtarësim, e bëmë duke besuar se e meritojmë të jemi pjesë e këtij Unioni në një të ardhme të parashikueshme, sepse besojmë në këtë Union. Ne kemi të njëjtin besim edhe sot.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Zyrtarët e BE-së kanë paralajmëruar se gjatë kësaj jave do të shpallin disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës, për shkak se Kosova nuk ka ndërmarrë hapa për de-përshkallëzimin e situatës në veri. Ndër masat ndëshkuese pritet të jetë edhe pezullimi i punës së të gjitha grupeve të punës për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Gjithashtu, është paralajmëruar pezullimi i financimit të programeve të BE-së, mosmiratimi i projekteve nga Fondi për investime në Ballkanin Perëndimor, si dhe pezullimi i takimeve në nivele politike. Sipas zyrtarëve evropianë, masat mund të hiqen nëse Kosova ndërmerr hapa për qetësimin e situatës. Tensionet në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë shtuar që nga fundi i majit. Serbët vendas po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë, të cilët u zgjodhën më 23 prill, në një votim që u bojkotua nga popullata serbe.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU