Ekonomi

Energjia elektrike, Besimi: TVSh do të jetë 18%, nuk do të ketë ndërhyrje ligjore

30.06.2023 16:08

Pas zyrtarizimit të çmimit të ri të energjisë elektrike, i cili do të aplikohet nga 1 korriku i këtij viti...

Pas zyrtarizimit të çmimit të ri të energjisë elektrike, i cili do të aplikohet nga 1 korriku i këtij viti, ministri i Financave, Fatmir Besimi, thotë se nuk do të ketë ndërhyrje ligjore dhe se TVSh-ja në faturat e energjisë elektrike për familjet dhe konsumatorët e vegjël në tregun rregulluar do të rritet nga 10 deri në 18 për qind.
 
“Tani ka një metodologji të re e aplikuar nga Komisioni Rregullativ i Energjisë, e cila ridizajnohet, siç paralajmëruam edhe atëherë, masat përshtaten me nivelin e krizës ose formën e krizës në të cilën gjendemi dhe qëllimet që duam t’i arrijmë. Si kompensim, Qeveria do të vazhdojë të subvencionojë kostot e prodhimit dhe furnizimit me energji elektrike.”, - deklaroi ministri i Financave, Fatmir Besimi.
 
VMRO-DPMNE: Për 6 vite, çmimi i rrymës është rritur 50%
 
VMRO-DPMNE-ja opozitare akuzon pushtetin se për më pak se 6 vite çmimi i energjisë elektrike është shtrenjtuar më shumë se 50%. Zëdhënësja e VMRO-së, Miteva thotë se LSDM-ja godet popullin, për të mbushur buxhetin që shpenzon për tenderë dhe krime. 
 
“Qeveria rrit TVSh-në nga 10 në 18%. Rritja është vetëm sepse Qeveria kërkon të mbledhë më shumë para në buxhet, të cilat i ka vjedhur prej vitesh. Me rritjen e nesërme të energjisë elektrike dhe sipas blloqeve që futi LSD-ja, qytetarët që bien në kategorinë e dytë do të paguajë 2.88 për qind më të shtrenjtë energjinë elektrike, në kategorinë e tretë rritja do të jetë 9.99 për qind. Kjo do të thotë se në faturën prej 5.500 denarë rritja do të jetë mbi 500 denarë. Kurse faturat për muajin korrik, në vend të 5.500 denarëve të mëparshëm do të jenë mbi 6.000 denarë.”, - theksoi zëdhënësja e VMRO – DPMNE-së, Marija Miteva.
 
Por, LSDM-ja demanton VMRO-në opozitare. 
 
“Nuk është e vërtetë se faturat e energjisë elektrike për shumicën e familjeve do të rriten me rreth 10 për qind nga 1 korriku. Mbi 80% e familjeve nuk hyjnë në bllokun e tretë konsumatorve dhe me korrigjimin e normës së TVSH-së dhe uljen e mëparshme të çmimit për kilovat orë energji elektrike, do të kenë rritje minimale dhe të parëndësishme të faturave të energjisë elektrike.”, - thuhet në reagimin me shkrim të LSDM-së. 
 
SANIJE DURAKU