Maqedoni

Aksioni policor "Feniks", "Shkupi 2014", keqpërdorime dhe larje parash

30.06.2023 16:25

Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion ka hapur procedurë hetimore kundër 15 personave fizik dhe 7 personave juridik...

Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion ka hapur procedurë hetimore kundër 15 personave fizik dhe 7 personave juridik për 11 përmendoret të projektit të njohur "Shkupi 2014". Listën e të dyshuarve për këtë rast e kryeson ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-zv.kryeministri dhe ministër i financave, Zoran Ztavrev, ish-ministrja Kançevska Milevska, ish-kryetari i Komunës Qendër, Vladimir Todoroviq, si dhe funksionarë dhe zyrtarë të tjerë.
 
Nga prokuroria njoftuan se në mesin e të dyshuarve është një shtetas dhe 3 persona juridik nga Italia. Ata ngarkohen për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare dhe larje parash dhe të ardhura të tjera nga vepra penale. Në vend të Kuvendit, i cili ka kompetencë, ka vendosur Këshilli i Komunës Qendër. Për prokurorin Llape, ky është një anashkalim i kontrollit parlamentar. Kundër shtatë personave është propozuar paraburgimi.
 
“I dyshuari i parë duke shfrytëzuar pushtetin e tij real si kryetar i Qeverisë së RVM-së dhe kryetar i partisë politike, që atëherë ka qenë në pushtet së bashku me të afërmit e tij qeveritarë dhe partiak, zëvendëskryeministri i Qeverisë dhe ministri i Financave, sekretar shtetëror në Ministrinë e Kulturës, më pas ministër, ish-kryetar i Këshillit dhe këshilltarë në Komunën Qendër, kryetar i Komunës Qendër dhe persona të tjerë janë bashkuar me qëllim realizimin e përftimit financiar dhe politik.”, - deklaroi prokurori publik, Lubomir Llape.
 
Disa nga përmendoret kontestuese janë edhe “Ushtari në kalë”, përmendoret "Luana", Dame Gruev, Goce Dellçev, etj. Llape njoftoi se shumat e mjeteve për të ndërtuar përmendoret, në tender kanë qenë shumë më të larta se pagesa reale për ndërtimin e tyre.
 
“Përmendoret këtu janë me një vlerë të tenderit, ndërsa në Itali janë me çmime drastike më të ulëta. Gjatë procedurës hetimore dhe dëshmive të siguruara është vërtetuar se një përmendore që me tender në RMV është paguar 4.7 milion euro, më tej në Itali është dhënë të punohet për 2.3 milion euro.”, - theksoi prokurori publik, Lubomir Llape.
 
Propozime për ngrirje të llogarive dhe pronave janë parashtruar kundër personave që janë të dyshuar për veprën penale Larje parash, si dhe  ndaj personave juridik të cilët janë themeluar për këtë qëllim. Për këto vepra penale, dënimi minimal është 4, gjegjësisht 5 vite burg dhe veprat janë larg vjetërsimit, sqaroi prokurori, Lubomir Lape. Kjo lëndë penale ka filluar në Prokurorinë Speciale Publike.
 
FLORIJE KAMBERI