Maqedoni

Rasti “Soravia”, VMRO kërkoi të thuhet origjina e parave, Kovaçevski ftoi institucionet të hetojnë

30.06.2023 16:38

Dyshimet për përfshirje në krim të Drin Ahmetit janë në qendër të akuzave të deputetëve të VMRO – DPMNE-së në seancën e pyetjeve të deputetëve...

Dyshimet për përfshirje në krim të Drin Ahmetit janë në qendër të akuzave të deputetëve të VMRO – DPMNE-së në seancën e pyetjeve të deputetëve. Deputeti Dragan Kovaçki kërkoi nga kryeministri që të thotë prejardhjen e parave të nipit të Ahmetit, i cili në moshën 24 vjeçe ka arritur të posedojë katër kompani, përfshirë këtu edhe qendrën tregtare “Soravia” në vlerë prej 30 milion euro. Sipas kryeministrit, institucionet kompetente duhet të thonë fjalën e fundit, që për opozitën flet për ikje nga përgjegjësia dhe mbrojtje të krimit.
 
“Unë s’do të komentoj se dikush në cilën moshë ka përvetësuar pronë dhe kompani, megjithatë mund të them se Drejtoria për hetime financiare, Drejtoria e të ardhurave publike, Regjistri qendror, Policia financiare do të duhet të veprojnë në përputhje me kompetencat e tyre, sikurse veprojnë për çdo rast tjetër për të cilin ekziston dyshim.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
“Pyetja kryesore është se nga vijnë paratë? A janë të vërteta zërat se Ali Ahmeti do të përfitojë nga “Soravia” nga ndërmarrje të lidhura me shtetin për dhënien me qera të zyrave në “Soravia”. BDI a do të pastrojë paratë nga zhvatja? Për këtë duhej të flisni, por ju nuk mund të flisni për Ali Ahmetin, pasi ju mban në grusht.”, - theksoi deputeti i VMRO – DPMNE-së, Dragan Kovaçki. 
 
Nga VMRO dyshojnë se do të hapet hetim pasi lidhja e familjes Ahmeti shtrihet edhe në prokurorinë e krimit të organizuar me prokurorin, Islam Abazi, për të cilin kërkuan edhe dorëheqje.
 
“E keni parë këtë fotografi se kush qëndron mbi kokë të prokurorit publik për ndjekjen e krimit të organizuar, Islam Abazi, të votuar me aklamacion pa asnjë votë kundër?! Pikërisht ky do të duhet të nis procedurë për djalin e këtij që po i qëndron mbi kokë. A është kjo e mundur? Jo, nuk është e mundur?”, - u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovaçki.
 
Kryeministri me kundërpërgjigje se profesionalizmi i të zgjedhurve mund të komentohet, por kjo do të përfshijë shumë individë.
 
“Se dikush me dikë është mik apo armik, i punësuar në cilindo institucion mund të komentohet, por atëherë komentet do të duhet të shtrihen edhe tek individë të tjerë. Ne kemi deputetë, familjarët e të cilëve janë gjykatës dhe kemi deputetë që familjarë të afërt janë prokurorë.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Zhurma dhe hedhjet e akuzave nga vendi vazhduan gjatë gjithë pjesës së parë të debatit, ku nuk u anashkalua as rasti “Merko”, për të cilin gjithashtu u kërkua dorëheqje dhe përgjegjësi.
 
MERAL ISMAILI