Maqedoni
Radev për integrimin e RMV-së: S’ka kushte tjera, realizoni për çka obligoheni
30.06.2023 17:20
Pas deklaratës së kancelarit gjerman, Olaf Shulz, se Sofja zyrtare nuk do të del me kërkesa jashtë asaj që është arritur në marrëveshje..

Pas deklaratës së kancelarit gjerman, Olaf Shulz, se Sofja zyrtare nuk do të del me kërkesa jashtë asaj që është arritur në marrëveshje, vjen siguresa edhe nga fqinji lindor. Presidenti bullgar, Rumen Radev, në të njëjtën linjë. Nuk ka kushte të reja për Maqedoninë e Veriut, por duam që të plotësohen kushtet që dolën nga korniza negociuese, thotë Radev. Ndërkohë, rikujton se me gjuhën e urrejtjes nuk mund të ndërtojmë fqinjësi të mirë dhe të ardhme evropiane të qëndrueshme.
“Edhe sot kur na bëjnë thirrje që të mos vëmë kushte të reja për integrimin e RMV-së, kur na bëjnë thirrje të ndalemi të shikojmë prapa në të kaluarën, por vetëm përpara drejt ardhmërisë, duhet qetësisht dhe në mënyrë të qartë të tregojmë se nuk vëmë kushte të reja. Duam Shkupi thjesht t’i plotësojë obligimet e ndërmarra, të cilat janë të vërtetuara në kornizën negociuese. Me mospublikimin e arkivave të shërbimeve për persekutimin e bullgarëve në Maqedoni dhe mungesën e rehabilitimit të viktimave të pafajshme, nuk mund të ndërtojmë fqinjësi dhe të ardhme evropiane.”, - deklaroi kryetari i Bullgarisë, Rumen Radev.
Kovaçevski: Deklarata e Radevit më gëzon
Kryeministri Dimitar Kovaçevski mirëpret deklaratën e fundit të presidentit Radev.
“Mua më gëzon edhe ajo që patëm edhe deklaratën e presidentin bullgar, Radev, i cili thotë se edhe BE-ja duhet t’i plotësojë kushtet edhe ne obligimet nga korniza negociuese dhe se nuk ekzistojnë kushte shtesë që kanë të bëjnë me kornizën negociuese të RMV-së.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Kovaçevski potencon se VMRO-ja akoma ka opsion për zgjedhje të parakohshme me kusht votimin e ndryshimeve kushtetuese, sepse tash sheh atmosferë më konstruktive tek opozita. Ndërkaq sqaron se procedura për ndryshimet kushtetuese do të fillojë pasi që paraprakisht në seancë qeveritare të shqyrtohen detajet e grupit të punës.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
