RMV merr kryesimin me PBEJL-in, Osmani: Prioritet, pajtimi dhe bashkëpunimi rajonal

01.07.2023 17:20

Maqedonia e Veriut mori kryesimin...

Maqedonia e Veriut mori kryesimin me Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore. Pajtimi, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi si dhe lufta kundër korrupsionit do të jenë në fokus të këtij kryesimi, tha ministri i jashtëm, Bujar Osmani.

Për shtetin, marrja e udhëheqësisë me këtë nismë krahas kryesimit me OSBE –në dhe Kartën e Adriatikut paraqet nder të madh, thotë Osmani, por më tepër përgjegjësi në kohën kur rajoni po përballet me kriza, luftën në Ukrainë dhe ndryshimin e skenës gjeopolitike.

“Rajoni aktualisht po përballet me tri procese jashtëzakonisht të rëndësishme, të ndara, por të gërshetuara: Nevojën për integrimin e menjëhershëm në BE, jo më vonë se në vitin 2030, pasqyrën  komplekse gjeopolitike të kontinentin evropian lidhur me agresionin rus në Ukrainë  dhe kontestet e pazgjidhura dypalëshe në rajon. Për shkak të gjithëpërfshirjes së saj, Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore paraqet platformë të shkëlqyeshme ku çështjet rajonale mund të adresohen  në nivel më të lartë,  me të cilët hapet rruga më e shpejtë euroatlantike e rajonit” – deklaroi Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.

Formati i Procesit të bashkëpunimit në Evropës Juglindore përfshin 13 shtete nga kjo pjesë e Evropës, disa prej tyre anëtare të BE-së e disa të NATO-s. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)