Franca s’arrin të vë në kontroll trazirat
Në Francë, vdekja e një të riu gjatë një kontrolli policor....

Në Francë, vdekja e një të riu gjatë një kontrolli policor vazhdon të shkaktojë për të katrën natë me radhë trazira të rënda.
Gjatë trazirave të fundit në Francë policia arrestoi rreth 1000 vetë. Ministria e Brendshme njoftoi se gjatë trazirave u plagosën rreth 150 policë dhe xhandarë.
Kjo ishte nata e katërt e protestave pas vdekjes së një 17-vjeçari prej dhunës së policisë.
Demonstratat dhe tubimet u ndaluan në qytetet e mëdha të vendit si Lion, Marsejë dhe Strasburg. Por pavarësisht ndalimit të protestave pati plaçkitje, dëmtime materiale dhe përplasje të dhunshme.
Sipas njoftimeve të mediave, përleshje veçanërisht të dhunshme pati në Marsejë dhe Lion.
Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin urdhëroi vendosjen e masave të rrepta për kufizimin e jetës pubike dhe të qarkullimit natën e së premtes dhe gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së shtunës, dhe mobilizoi rreth 45,000 policë dhe forca speciale për kontrollin e tyre.
Sipas Ministrisë së Brendshme franceze falë mobilizimit të forcave të sigurisë në të gjithë vendin, dhuna kishte qenë më pak intensive se një natë më parë.
