Teleskopi evropian do ta eksplorojë “Universin e errët”

01.07.2023 21:25

Një teleskop hapësinor evropian...

Një teleskop hapësinor evropian niset nga Florida e SHBA-së në një kërkim për të gjetur përgjigjen në një nga pyetjet më të mëdha në shkencë: nga çfarë përbëhet Universi?

Misioni Euklid do ta bëjë një hartë të madhe tredimensionale të kozmosit në një përpjekje për të zbuluar disa nga vetitë e të ashtuquajturave materie dhe energji e errët. Së bashku, këto dukuri besohet se kontrollojnë formën dhe zgjerimin e gjithçkaje që gjendet në univers.

Teleskopi Euklid, 1.4 miliardë eurosh do të dërgohet në një pozicion vëzhgimi rreth 1.5 milion kilometra larg nga Toka, në anën e kundërt të planetit me Diellin. Edhe pse ky projekt është i drejtuar kryesisht nga Agjencia Hapësinore Evropiane (ESA), misioni ka të dhëna të rëndësishme shkencore dhe inxhinierike edhe nga agjencia hapësinore amerikane (NASA).

Për ta zbërthyer natyrën e energjisë dhe materies së errët, teleskopi Euklid do të kryejë një hulumtim gjashtëvjeçar.