Marrdhëniet Kosovë-Serbi, BE-ja fuqizon masat ndëshkuese
Qeverisë së Kosovës i janë komunikuar masat ndëshkuese....

Qeverisë së Kosovës i janë komunikuar masat ndëshkuese nga KE-ja qysh më 28 qershor, si pasojë e vlerësimit të BE-së se Kosova nuk ka ndërmarrë hapat e kërkuar për uljen e tensioneve në veri, ka deklaruar një zëdhënës i Bashkimit Evropian, për Radion Evropa e Lirë.
“Kosova, për keqardhje, akoma nuk i ka bërë hapat e domosdoshëm. Prandaj BE-ja, siç kishte paralajmëruar në deklaratën e tij në emër të shteteve anëtare më 3 qershor përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, ka marrë vendim për implementimin e disa masave”, thuhet në këtë përgjigje.
Masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Nga BE-ja thonë se “po e monitorojnë edhe sjelljen e Serbisë dhe ekziston mundësia që edhe ndaj asaj të merren masa nëse nuk sillet sipas pritjeve për shtensionim të situatës”.
Nga Beogradi është kërkuar që të sigurojë që serbët të marrin pjesë pa kushte në zgjedhjet eventuale lokale.
OSBE kërkon zbatimin e udhërrëfyesit
Ndërkohë kryesuesi i OSBE-së Bujar Osmani ka takuar shefat e misioneve të OSBE-së në Kosovë, Serbi dhe RMV për t’u njoftuar mbi situatën në terren si dhe rreth implementimit të udhërrëfyesit të prezanuar nga OSBE-ja për deeskalimin e gjendjes në veri të Kosovës.
“Edhe forcat speciale të Kosovës të tërhiqen nga veriu me qëllim deesklaimin po edhe Serbia të ul nivein e gadishmërisë së ushtrisë së vet në kufi të Kosovës, që do të thotë se kemi një qasje simetrike sa i takon dyja palëve kurse në veri të rikthehet policia e rregullt, bashkëpunim me KFOR-in dhe organizatat tjera, të cilat me kushtetutë kanë kompetenca për të mbajt rendin. Në asnjë mënyrë nuk kemi qasje asimetrike ndaj kujtdo, por është me rëndësi urgjente që të fillon implementimi i këtyre masave se atë që thash, çdo ditë vonesë do të shkakton dëme të pariparueshme për palet, parasëgjithash për Kosovën” – tha Kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani.
Osmani fton palët që të fillojnë me implementimin e udhërrëfyesit të OSBE-së sepse sipas tij, ekziston konstatim gjithpërfshirës për potencial serioz për eskalim me pasoja të shumëfishta për rajonin. (Gyltene Sinani, TVM2)
