Kosova shënon ditën e deklaratës kushtetuese, Osmani: Shënoi kthesën për liri dhe pavarësi

02.07.2023 13:18

Republika e Kosovës shënon 2 Korrikun...

Republika e Kosovës shënon 2 Korrikun, Ditën e Deklaratës Kushtetuese.  Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar 2 korrikun, me ç’rast ka thënë se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990, e shpallur nga 114 delegatët e Kuvendit të Kosovës hapi rrugën për përmbushjen e ëndrrës shekullore për Kosovën Republikë.

“Akti i tyre dëshmoi se rruga e bërjes së shtetit kërkon përkushtim, sakrificë dhe guxim. Delegatët e asaj kohe i gërshetuan këto të tria, duke vënë gurin themeltar të shtetit të Kosovës, i cili u vulos më 17 shkurt të vitit 2008.”- thuhet në urimin e presidentes Osmani.

Sipas saj Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut është ngjarje emblematike, e cila shënoi kthesën historike të Kosovës për liri dhe pavarësi.

“2 Korriku mbetet një nga datat më të rëndësishme për shtetin tonë, ngase  themelet e tij qëndrojnë mbi vendimin e delegatëve të asaj kohe.”- shkruan Osmani.