Verstappenin fiton edhe në Austri

02.07.2023 19:05

Piloti holandez i Red Bull, Max Verstappen....

Piloti holandez i Red Bull, Max Verstappen, fitoi sot garën e Cmimit të Madh të Austrisë në Formula 1, suksesi i 7-të sezonal, i pesti radhazi, në një botëror që po e dominon me shifra të frikshme.

Kampioni i botës në fuqi e dominoi garën e zhvilluar në pistën e Seltëeg, duke e lëshuar kreun vetëm për 10 xhiro, të cilin e rifitoi shumë kollaj.

Në vendin e dytë u klasifikua monogasku Charles Leclerc me Ferrari, që bëri një garë të mirë, ashtu sikurse u paraqit makina italiane në tërësi në këtë fundjavë.

Në vendin e tretë u rendit meksikani Sergio Perez me makinën tjetër Red Bull, pozicion që e fitoi pas parakalimit të vështirë ndaj spanjollit Carlos Sainz (Ferrari) disa xhiro nga fundi.

Makina virtuale e sigurisë në pjesën e parë të garës e bëri disi më interesante betejën për zonën e pikëve, pasi pilotët hynë në bokse për të ndërruar gomat e modifikuar strategjitë.

Ndërkohë që sot ndikuan edhe penalitetet që komisarët e garës dhanë për pilotët për tejklalimin e limiteve të pistës (mes tyre edhe Sainz e Hamilton). Kjo solli mjaft parakalime në pistë. Gjithsesi, Verstappen bëri një garë me vete, duke e dominuar botërorin e Formula 1, i pashqetësuar nga rivalët.

Ai bëri një ndalesë më shumë se rivalët për të marrë edhe pikën shtesë të xhiros së shpejtë dhe sërish nuk u arrit nga rivalët. Në zonën e pikëve u renditën Norris, Alonso, Hamilton, Russell, Gasly e Stroll.

Pas garës së sotme, Verstappen, prinë edhe më bindshëm në klasifikim individual, tani me 229 pikë të grumbulluara, apo plotë 81 më shumë se ndjekësi më i afërt, shoku i skuadrës Sergio Perez.

Te konstruktorët, Red Bull është edhe më bindës. Ka 377 pikë, 199 më shumë se Mercedes në vendin e dytë.