Francë, vazhdojnë protestat e dhunshme
Dhuna e nxitur nga vrasja e një 17-vjeçari...

Dhuna e nxitur nga vrasja e një 17-vjeçari në Nanterre pranë Parisit po vazhdon të përhapet nëpër Francë. Gjatë natës së kaluar protestat e dhunshme përsëri shpërthyen në disa qytete, përfshirë Parisin dhe Marseillen.
Përleshjet mes policisë dhe qytetarëve të cilët po protestojnë pas vrasjes së një 17 vjeçari nga ana e policisë Franceze, po vazhdojnë të përhapen nëpër vend. Gjatë natës së kaluar, përleshjet shpërthyen në disa qytete të Francës me dhunën më të madhe të raportuar në Marseille, ku u lënduan dhjetëra persona përderisa rreth 60 u arrestuan nga forcat e rendit.
Gjithashtu është njoftuar se në tërë territorin e Francës janë arrestuar rreth 600 pjesëmarrës në protestat e dhunshme nga Nica deri në Strasbourg.
Përkundër netëve të kaluara, Parisi këtë herë ka qenë më i qetë, besohet për shkak të prezencës së shumtë të policisë në rrugët e kryeqytetit.
Por, dërgimi i 45 mijë policëve shtesë nuk ka ndikuar në pjesët e tjera të Francës ku dëmet në pronat private dhe publike po arrijnë në miliarda euro.
