MASH-i, ndan çmimet për nxënësit më të mirë
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, i ka ndarë çmimet e para për nxënësit më të mirë në drejtimin profesional-lider, ku kanë garuar gjithsej 168 nxënës dhe janë përfshirë 28 shkolla të vendit....

Sipas Ademit, qëllimi i këtij aktiviteti është lidhja e teorisë dhe punës praktike, që nxënësit të mund t’i shkëmbejnë njohuritë e tyre në shpikje, të cilat më vonë do t’i përdorin në procesin e tyre mësimor.
“Jam i kënaqur nga interesi i mësimdhënësve dhe nxënësve për të marrë pjesë në këtë ngjarje, e cila do të bëhet tradicionale, respektivisht do të mbahet çdo vit nëpër shkollat e RM-së. Nga tre fazat në të cilat u zhvillua e tërë gara, kishim fitues në nëntë drejtime profesionale, kurse për çmime garuan gjithsej 168 nxënës nga 28 shkolla në vend”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Ministri Ademi potencoi që më të mirët në drejtimin e tyre profesional do të njihen nga punëdhënësit e fushave adekuate, të cilët do t’u ofrojnë punësime ose bursa për vazhdimin e shkollimit të tyre në ndonjë nga fakultetet teknike në Maqedoni, duke bërë të ditur se sistemi arsimor i Maqedonisë ofron mundësi për aftësimin profesional të nxënësve.
Shkollat profesionale ofrojnë një gamë të gjerë të programeve arsimore për studimin e zejeve, tha Ademi, duke vënë në dukje se në tregun e punës, jo vetëm në Maqedoni, por kudo në botë, nevojitet kuadër i cili ka kualifikime, aftësi praktike dhe kompetenca të caktuara, që të mund t’u përgjigjen nevojave të kompanive ku do të angazhohen me punë. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
