Ish-presidenti Klinton viziton Shqipërinë, policia merr masa të detajuara për sigurinë e tij

03.07.2023 10:12

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, do të mbërrijë sot në Shqipëri ku do të zhvillojë një vizitë 2-ditore...

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, do të mbërrijë sot në Shqipëri ku do të zhvillojë një vizitë 2-ditore. Në kuadër të vizitës në Shqipëri, Drejtoria Vendore e Policisë-Tiranë, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka marrë një sërë masash të detajuara për sigurinë e  Klintonit, duke filluar nga aeroporti i Rinasit, shoqërimi drejt Tiranës në vendet ku do të zhvillohen takimet, akomodimi dhe shoqërimi drejt Rinasit, në përfundim të vizitës. 
 
Policia e shtetit njoftoi qytetarët se do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera, në varësi të takimeve dhe aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë këtyre dy ditëve, në Tiranë. Klinton dhe delegacioni që e shoqëron do të mbërrijë në Tiranë pasditen e sotme, ku në orën 19:00 do të pritet nga kryeministri Edi Rama në një ceremoni të posaçme zyrtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë kryeministrisë, me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve. 
 
Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të ShBA-ve dhe Shqipërisë, kryeministri Edi Rama dhe  ish-presidenti i ShBA-ve, Bill Klinton, do të bëjnë parakalimin ceremonial dhe do të nderojnë flamujt e dy vendeve. Në orën 19:05 kryeministri Edi Rama do të mbajë fjalën e rastit dhe më pas do të ftojë zotin Bill Klinton të marrë çmimin e akorduar. Në orën 19:25 do të zhvillohet ceremonia e nderimit të Presidentit të 42-të të ShBA-ve, Bill Klinton, me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike” që do të pasohet nga fjalimi i presidentit.
 
FLUTURA LATIFI