Botë
Kurti: Masat e BE-së ndaj Kosovës, të padrejta
03.07.2023 13:45
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka quajtur të përkohshme dhe të padrejta masat e paralajmëruar nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës...

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka quajtur të përkohshme dhe të padrejta masat e paralajmëruar nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës. Ai njëherit theksoi se disa masa edhe kanë filluar që të zbatohen.
“Është e vërtetë se janë paralajmëruar masat dhe janë zbatuar disa prej tyre. Ju e dini se ushtrimi i “My Defender Europe 23”, sidomos në Gjakov kur e kishim të planifikuar, gjithçka ishte anuluar. Bëhet fjalë edhe për vizita, por gjithsesi bëhet fjalë për masa të përkohshme, të cilat për bindjen time të fuqishme janë të padrejta.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Dy organizatat e shpallura terroriste, Kurti: Janë identifikuar 45 persona
Njëherit, Kurti sqaroi se janë identifikuar 45 persona si pjesë e dy organizatave të shpallura terroriste nga Qeveria, siç janë “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.
“Deri më sot janë identifikuar gjithsej 45 persona, identifikim i saktë që kanë marrë pjesë në sulm dhune ndaj ushtarëve të KFOR-it, policisë e gazetarëve, por edhe që kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm duke përdorur armatime të ndryshme nga granatat, shok bombat e plumbat, qofshin ato të automatikëve apo revolverëve. Ju e patë çfarë armatimi u konfiskua më 23 qershor me një automjet me targa të Beogradit, që i përket ndërmarrjes publike “Hekurudhat e Serbisë”, që doli se paska qenë e udhëheqësit Paviçeviq të Brigadës Veriore, e cila në mbledhjen e fundit të Qeverisë u shpall organizatë terroriste, së bashku me të ashtuquajturën “Mbrojtje Civile”.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti, njëherit theksoi se qytetarët serb në veri janë paqësor dhe janë më të frikësuarit prej këtyre kriminelëve dhe dërgojnë informacion çdo herë kur vepron ligji. Ai njëherit theksoi përkushtimin për paqe dhe siguri, por jo në dëm të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë, që e thekson edhe në kontaktet me zyrtarët e BE-së, Borrell dhe Lajçak.
GYLTENE SINANI
