Botë

Forcat izraelite vrasin disa palestinezë në kampin e refugjatëve në Xhenin

03.07.2023 14:30

Ushtria izraelite kreu një operacion të madh ushtarak ajror dhe tokësor në kampin e refugjatëve në Xhenin në Bregun Perëndimor....

Ushtria izraelite kreu një operacion të madh ushtarak ajror dhe tokësor në kampin e refugjatëve në Xhenin në Bregun Perëndimor. U përdorën drone dhe trupa ushtarak, disa palestinezë u vranë dhe disa u plagosën. Sipas Izraelit, objektivi i operacionit është bastioni i militantëve, si dhe infrastruktura terroriste.
 
“Qëllimi i operacionit që nisi gjatë natës ishte goditja e folesë së terrorit. Është e rëndësishme të sqarohet - ne nuk po luftojmë palestinezët, ne po luftojmë degët terroriste iraniane në rajon. Xhihadi Islamik Palestinez i financuar nga Irani dhe Hamasi synonin të sulmonin stabilitetin rajonal. Fondet që vijnë nga Irani po e kthejnë kampin e refugjatëve në Xhenin në një epiqendër terrori.”, - deklaroi ministri i jashtëm i Izraelit, Eli Cohen.
 
Ky është operacioni më i madh ushtarak i Izraelit në territorin palestinez në vitet e fundit. Cohen e quajti kampin e sulmuar në Xhenin si një qendër për aktivitete terroriste. Batalioni Xhenin, i cili përfshin luftëtarë nga grupet palestineze - Fatah, Hamasi dhe Xhihadi Islamik, tha se do të luftojnë deri në frymën e fundit kundër pushtuesit. Palestinezët e dënuan dhunën. Kampi Xhenin dhe qyteti fqinj me të njëjtin emër janë sulmuar, pasi dhuna izraelito-palestineze është përshkallëzuar që nga pranvera e vitit 2022. Trupat po kryejnë operacionin mes presionit të brendshëm në rritje për një përgjigje të ashpër ndaj një serie sulmesh ndaj kolonëve izraelitë, përfshirë sulmin me të shtëna të javës së kaluar në të cilin u vranë katër persona.
 
FITORE DEMOLLI