Maqedoni
Mickoski: Nuk përkrahim ndryshimet kushtetuese
03.07.2023 14:51
Akuza dhe kundërakuza ndërmjet partive politike për sa i takon ndryshimeve kushtetuese, por edhe krimit dhe korrupsionit....

Akuza dhe kundërakuza ndërmjet partive politike për sa i takon ndryshimeve kushtetuese, por edhe krimit dhe korrupsionit. Në VMRO-DPMNE nuk ka asnjë krah që përkrah ndryshimet kushtetuese, është shprehur kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur kështu ministrit të jashtëm, Osmani, i cili ka thënë se ekziston një krah në VMRO që do të votojë për ndryshimet kushtetuese. Ai mbetet në qëndrimin se asnjë deputet nuk do të votojë për ndryshimet kushtetuese nën diktatin bullgar, deri sa të ketë garanci të forta se nuk do të ketë kërkesa të reja nga pala bullgare.
“Nëse z.Osmani ëndërron diçka, atëherë në rregull, le të zgjohet nga ai ankth, për shkak se unë nuk kam ndonjë informatë të tillë, por kam besim të qind për qind në grupin parlamentar të VMRO-DPMNE dhe koalicionit, në gjithë ato 44, të cilët janë në koalicion. Para pesë ditësh e kam thënë, që nëse kalon kjo, unë largohem nga politika, a ka diçka nga ana e tyre le të thonë. Ata thonë se nëse nuk kalon kjo, ne do të qëndrojmë për të vjedhur edhe pak.”, - deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Rasti “Feniks”, Taseska: Dëshmi e krimit financiar të VMRO-së
Sa i takon rastit “Feniks”për keqpërdorimin e 60 milion eurove, Mickoski thotë se qëllimi është defokusimi i opinionit. Nga LSDM me qëndrim se nëpërmjet projektit “Shkupi 2014” janë larë para të majme, të cilat kanë shkuar në xhepin e funksionarëve të VMRO-DPMNE-së.
“Ja përse nuk janë ndërtuar çerdhe të reja në kohën e DPMNE-së. Nuk është ndërtuar, pasi është vjedhur. Nga DPMNE kanë vendosur që në vend për popullin, paratë duhet të mbarojnë në xhepin e dikujt. Nuk është menduar për të siguruar kushte më të mira për të rinjtë, por është menduar për pasurim personal.”, - theksoi Lidija Tasevska nga LSDM-ja.
Akuzat ndaj BDI-së dhe Ali Ahmetit, BDI: Krimin e VMRO-së e ka konfirmuar edhe gjykata
Mickoski drejtoi akuza për BDI-në dhe udhëheqësinë e saj, duke thënë se nëse në politikë e përzien familjen, siç ka bërë Ali Ahmeti, atëherë nga luftëtar për të drejta njerëzore do të përfundojë si kriminel.
Nga BDI-ja kundërpërgjigjen duke thënë se pikërisht VMRO-DPMNE-ja është organizatë kriminale e konfirmuar nga gjykata, me konfirmim personal nga ana e gjysmës së partisë, para gjykatës. Nga partia e Ahmetit theksojnë se fushata e përditshme e VMRO-DPMNE-së kundër BDI-së dhe Ali Ahmetit është një përpjekje për të fshehur motivet reale anti-evropiane dhe antishqiptare të udhëheqësisë së VMRO-së.
ERSAN PAJAZITI
