Maqedoni

Aziri: Do të shfrytëzojmë fondet evropiane për digjitalizim

03.07.2023 15:10

Maqedonia e Veriut do të shfrytëzojë fonde evropiane për ta digjitalizuar shoqërinë. Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratë...

Maqedonia e Veriut do të shfrytëzojë fonde evropiane për ta digjitalizuar shoqërinë. Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratë nënshkroi marrëveshjen me BE-në, ku përmes programit “Evropa Digjitale” sigurohen plotë shtatë miliardë e gjysmë euro për vendin. Për t’i shfrytëzuar këto mjete, Ministria e Shoqërisë Informatike do të duhet të përpilojë projekte të veçanta për pesë shtylla: inteligjencë artificiale, super kompjuter, siguri kibernetike dhe aftësi të avancuara digjitale dhe teknologjike në sektorin e ekonomisë dhe shoqërisë.
 
“Nga sot do të kem takime me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve që mendoj se duhet të jenë pjesë e këtij grupi punues, siç janë institucionet e arsimit të lartë, ato publike dhe sektori privat dhe OJQ-të, me qëllim që të punojmë bashkë dhe të bëjmë aplikime sa ma të shumta në këtë program.”, - deklaroi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratë, Azir Aliu.
 
Programi “Evropa Digjitale” do të mundësojë financim strategjik të vendit deri në vitin 2030. Së bashku me RMV-në, BE-ja do të financojë edhe digjitalizimin e shoqërisë të Serbisë dhe Malit të Zi. Njëherit në brifing me gazetarët, ministri Aliu njoftoi se për dy javë do të jetë gati edhe propozim-ligji i ri për media, i cili pretendon se në të do të përfshihen të gjitha vërejtjet dhe këshillat e operatorëve dhe se do të jetë zgjidhje më e mirë ligjore, e cila do të përmbushë nevojën e gjithë operatorëve në tregun mediatik. 
 
REXHEP QAMILI