Maqedoni
Klinika e Gjinekologjisë, lehona tenton të vetëvritet
03.07.2023 16:06
Një grua nga Shkupi, pasi ka lindur fëmijën e saj të parë djalë, është hedhur nga dritarja e katit të parë të Klinikës së Gjinekologjisë dhe Akusherisë....

Një grua nga Shkupi, pasi ka lindur fëmijën e saj të parë djalë, është hedhur nga dritarja e katit të parë të Klinikës së Gjinekologjisë dhe Akusherisë. Pacientja 39 vjeçe i ka mbijetuar hedhjes. Ajo është shtrirë në klinikë para një jave për të lindur foshnjën dhe si pasojë e gjakderdhjeve, mjekët me ndërhyrje kanë lindur fëmijën. Dy ditë më pas, ajo është ankuar për shqetësime dhe me të ka biseduar psikologu i klinikës dhe i është dhënë terapi dhe është ndjerë më mirë. Por, gjendja e përmirësuar nuk ka zgjatur shumë, pasi ajo sërish është ankuar për shqetësime.
“Gjatë natës rreth orës 21 e 30 minuta, pacientja nga dhoma është drejtuar kah korridori dhe nëpërmjet dritares ka tentuar vetëvrasjen duke u hedhur nga kati i parë.”, - deklaroi drejtori organizativ i Gjinekologjisë, Jeton Shaqiri.
Drejtorja e Klinikës së Gjinekologjisë dhe Akusherisë, Viktorija Jovanovska, deklaroi se mjekët kujdestar kishin bashkëbiseduar me pacienten para se të ndodhte ngjarja e trishtë. Ata kanë konstatuar që para se pacienten ta lëshojnë në shtëpi, të marrin dhe mendimin e psikiatrit.
“Pacientja nuk ka pasur probleme specifike psikike, përpos që ka qenë e shqetësuar, nuk ka dashur të ushqejë fëmijën me gji, gjë që nuk na ka ndodhur për herë të parë, kjo ndodh shpesh. Andaj biseduam me drejtorin e psikiatrisë dhe me të punësuarit e tij që të bëjmë një takim të përbashkët, që të mund të vijë psikiatër. Megjithatë, kjo ende është tabu temë dhe nuk e dimë se si do ta pranojnë pacientet.”, - theksoi drejtorja e Klinikës së Gjinekologjisë dhe Akusherisë, Viktorija Jovanovska.
Për momentin pacientja është hospitalizuar në klinikën intensive, ndërkaq fëmija i sapolindur është shëndoshë.
MERAL ISMAILI
