Kosova pa trajner, Shevçenko i propozohet FFK-së

03.07.2023 16:32

Kosova është në kërkim të një trajneri të ri pas largimit të Alen Zhires....

Kosova është në kërkim të një trajneri të ri pas largimit të Alen Zhires. Aventura e francezit nuk zgjati shumë në stolin e dardanëve, kjo pas paraqitjeve të dobëta në ndeshjet e para të kualifikueseve të Europianit. Në Kosovë, një emër i njohur i arenës së futbollit ka dalë në skenë për të marrë drejtimin e skuadrës. Andri Shevçenko, ish-sulmuesi i njohur i Milanit, i është propozuar Federatës Kosovare të Futbollit.
 
Si trajner i Ukrainës, Sheva është përballur kundër Kosovës disa vite më parë dhe atëherë bëri bujë deklarata e tij pas ndeshjes, ku ai i quajti lojtarët e Kosovës, shqiptarë, deklaratë kjo e cila “tërboi” disi serbët. Ndërkohë sa i përket situatës në Grupin I të kualifikueseve të Europianit, Kosova ndodhet në vendin e parafundit me 3 pikë, po aq sa Bjellorusia e vendit të katërt, ndërsa Izraeli ka 7 pikë, 8 Rumania dhe 10 Zvicra. Deri tani janë luajtur katër takime dhe dardanët ende nuk kanë arritur të marrin fitoren e parë.