Maqedoni

Pensionistët kërkojnë zgjerimin e listës pozitive

03.07.2023 16:51

Pensionistët kërkojnë zgjerimin e listës pozitive të barnave dhe gjetjen e një terapie të re dhe më inovative...

Pensionistët kërkojnë zgjerimin e listës pozitive të barnave dhe gjetjen e një terapie të re dhe më inovative, për të cilën aktualisht ndajnë dy deri në tre mijë denarë në muaj. Në vitet e fundit, pensionistët kanë pasur disa takime me organet shëndetësore, por thonë se ende presin zgjidhjen e problemit.
 
“Në praktikë ndodh që ata shkojnë te mjeku dhe mjeku u jep një ilaç, që sipas tij është më cilësor, por edhe më i shtrenjtë dhe kur pensionisti shkon në farmaci për ta blerë, duhet të ndajë një shumë të madhe nga pensioni, që për të është një problem i madh. Synimi  dhe kërkesa jonë është që nga ajo listë të hiqen disa ilaçe, të cilat, le të themi me kusht, nuk janë aq domethënëse dhe në vend të tyre të vendosen ilaçe që do të nënkuptojnë jetë, pra ilaçe që shpëtojnë jetë.”, - deklaroi kryetarja e Sindikatës së Shoqatave të Pensionistëve, Stanka Trajkova.
 
Pensionistët thonë se më të prekur nga kjo gjendje janë ata me të ardhura prej 12.000 denarë.
 
“Ilaçet janë shumë shtrenjtë, bashkë me gruan në muaj i harxhojmë 100 deri në 150 euro vetëm për ilaçe.”, - tha një qytetar.
 
“Nuk na mjaftojnë të ardhurat që i marrim, të paktën barnat të jenë më lirë.”, - tha një qytetar tjetër.
 
Ministria e Shëndetësisë thotë se procedura për përditësimin e listës pozitive është në fazën përfundimtare. Do të ketë edhe një Rregullore të re.
 
“Rregullorja rregullon një procedurë transparente dhe vendos kritere që duhet të plotësohen që ilaçi të jetë pjesë e listës pozitive. Hapi tjetër është që kompanitë farmaceutike të shprehin interesin për paraqitjen e kërkesave, sipas procedurës së rregulluar dhe sipas kritereve për vendosjen e një ilaçi në listën pozitive.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
 
Lista pozitive e barnave nuk është reviduar për më shumë se një dekadë. Në vend të të rejave, mbi të ka ilaçe që janë të vjetruara, nuk prodhohen prej vitesh ose janë tërhequr nga përdorimi në shumë vende.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI