Botë

Bill Klinton për herë të parë në Tiranë, Rama: Miku i përjetshëm i kombit shqiptar

03.07.2023 17:36

Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton...

Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, një prej presidentëve më të rëndësishëm për kombin shqiptar, vizitoi sot për herë të parë Tiranën.
 
Ai zbriti në tokën shqiptare në orën 15:18, ku në Aeroportin e Rinasit u prit nga kryeministri, Edi Rama.
 
Në një postim në facebook, kreu i Qeverisë e cilësoi si mikun e përjetshëm të kombit shqiptar.
 
Një mesazh urimi pati edhe presidenti Bajram Begaj, i cili thekson se shqiptarët do t’i jenë përjetë mirënjohës për gjithçka që ka bërë për kombin tonë e në veçanti për Kosovën. Më tej, Begaj thekson se vendimmarrja dhe lidershipi në ditët më vendimtare për të ardhmen e Kosovës e ka vendosur Klintonin në piedestalin e miqve tanë më të shtrenjtë.
 
Në orën 19:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë kryeministrisë, qytetarët do të munden të ndjekin nga afër fjalimin e tij.
 
Qeveria shqiptare do t’i japë presidentit Klinton “Yllin e mirënjohjes për arritjet publike” dhe presidenti Klinton e kryeministri Rama do të përcjellin nga një mesazh para të gjithë qytetarëve, që do të mblidhen për të nderuar një prej presidentëve më të rëndësishëm për kombin shqiptar.
 
LULJETA NDOKA