Matura shtetërore, matematika-provim i detyrueshëm

27.02.2015 15:46

Në takimin që u mbajt në rektorat mes ministrit të Arsimit, Abdylaqim Ademi, Plenumit të Studentëve dhe Profesorëve është arritur marrëveshje që të formulohet koncepti për Ligjin e ri të Arsimit Sipëror...

Sipas ministrit të Arsimit, Abdylaqim Ademi, në këtë takim palët janë dakorduar që të mos bëhen të ditura detajet gjatë përpilimit të Ligjit të Arsimit Sipëror.

“Tash për tash nuk dua të deklaroj ndonjë detaj se si do të duket ligji i ri, sepse kjo mund të provokon reagime dhe kundër-reagime. T’ia lëmë grupeve punuese konceptin, sepse ky koncept do të jetë i përbashkët dhe koncept në të cilin do të bazohet Ligji i ri për Arsimin e Lartë. Nuk kemi dhënë asnjë premtim dhe në këtë fazë edhe njëherë e përsëris nuk është mirë të flasim për përmbajtjen e tekstit apo Ligjit të ri për Arsimi Sipëror”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.

Sipas Ademit, matematika nga ky vit do të jetë provim i detyrueshëm në kuadër të maturës shtetërore dhe e njëjta është pranuar në të gjitha universitetet në botë. Nxënësit, sipas tij, duhet mirë të informohen, e jo të keqpërdoren.

“Lënda e matematikës do të jetë e obligueshme nga ky vit dhe kjo është përparësi dhe është mirë për vetë nxënësit dhe për sistemin arsimor në Maqedoni. Është mirë që nxënësit të informohen rreth përparësive dhe asaj që ofron matura shtetërore, sepse ajo është e pranuar nga të gjitha vendet dhe çdo nxënës që përfundon shkollën e mesme dhe e ka të dhënë maturën shtetërore, ajo maturë i pranohet në të gjitha universitetet në botë”- tha Ademi.

Sipas ministrit Ademi, edhe dialogu social me SASHK-un rrjedh sipas dinamikës së paraparë dhe në këto moment po zhvillohen negociatat, kështu që nuk do të jepen detajet nga bisedimet, sepse ato  mund të kenë ndikim në vendimin përfundimtar. (Flutura Latifi, TVM2)