Botë
Klinton për herë të parë në Tiranë, Rama: Miku i përjetshëm i kombit shqiptar
03.07.2023 21:47
Me nderime të shumta e plot mirënjohje u pret në Tiranë presidenti i 42-të i shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton...

Me nderime të shumta e plot mirënjohje u pret në Tiranë presidenti i 42-të i shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai shkeli për herë të parë në Shqipëri, ku siç tha vetë ai, kishte ëndërruar gjithmonë të vinte. Të rinjve shqiptarë u kërkoi mos shkurajohen dhe të jenë gjithnjë të bashkuar.
Si kumbar i çështjes së Kosovës, Clinton dha këndvështrimin e tij mbi atë që po ndodh në veri, duke e cilësuar si një marrëzi që duhet ndalur.
“Ka një mosmarrëveshje që po ndodh tani në Kosovë që do të doja të mos kishte ndodhur kurrë. Nuk është më vendimi imi, por kosovarët i krijuan ato katër qyteza në të mirë të serbëve, për tu dhënë katër kryebashkiakë më tepër. Kështu që mendoj se kanë bërë një gabim, që të votohej. Mendoj se është e lehtë për shqiptarët, tani në shumicë që të përpiqen që të përfitojnë nga momenti, për të paraqitur argumentin tyre, por gjëja e vërtetë që duhet të bëjmë është ta ndalim këtë marrëzi. Çfarë çështje e madhe politike mund të avancohet duke pasur këtë tension, ka njerëz që jetojnë, kanë nevojë për qeverisje të denjë dhe qytetarët kanë nevojë t’u thuhet të votojnë. Bota po drejtohet nga njerëz që preferojnë dominancën në vend të bashkëpunimit. Shpresoj që Shqipëria të jetë në gjendje ti tregojë botës sesi duket një e ardhme gjithë përfshirëse”, u shpreh ish presidenti i SHBA-së, Bill Clinton.
Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama e vlerësoi presidentin Clinton si një mnjeri që përcaktoi të ardhmen e Ballkanit, e pa të cilin Kosova nuk do të ishte çliruar.
Dhe në fund surpriza e madhe. Shumë fëmijë e të rinj nga Kosova të cilët mbajnë emrin Bill e Hillary e falënderuan ish-presidentin për gjithçka ka bërë për Kosovën.
Më pas, Rama i dorëzoi medaljen “Ylli i Mirënjohjes Publike” medalja më e lartë që një kryeministër mund të lëshojë.
LULJETA NDOKA
